
Qendra shqiptare për qeverisje të mirë publikoi të dhënat e një cikli sondazhesh të kryetares nga viti 2017 deri në 2021, duke evidentuar disa prej shqetësimeve kryesore të ngritura nga qytetarët shqiptarë. Drejtuesi i kësaj qendre, Arben Çejku, mes problematikave kryesore renditi korrupsionin, besimin e ulët te reforma në drejtësi dhe pandëshkueshmëria e politikanëve.
“Një problem tjetër shumë i madh është korrupsioni, kryefjala e shqetësimit të qytetarëve. Pandëshkueshmëria është burim dëshpërimi për shumë qytetarë që kanë shumë pak besim në reformën në drejtësi. Për qytetarët shqiptarë duan që vetingu që bëhet për gjyqtarët të jetë edhe për politikanët”, thotë Çejku.
Ngjashmëria e realitetit shqiptar sot me atë të 5 viteve më parë, sipas Edlira Gjonit është këmbana e alarmit që bie në veshin e institucioneve.
“Këto gjetje të bëra në vitin 2017 janë kaq aktuale edhe sot. Shtetet e nisin politiken mbi kërkimin e sondazheve”, shprehet Gjoni.
Arsyen pse gjërat nuk përmirësohen, studiuesi Afrim Krasniqi e gjen te keqpërdorimi që politika i bën opinionit publik.
“Politikanët kanë ndërtuar një model që i shmangen llogaridhënies sepse nuk shkojnë te qytetarët me platformë, por shkojnë duke u paraqitur si e keqja më e vogël”, thotë ai.
Drejtori i Fondacionit Konrad-Adenauer Tobias Rüttershoff, mbështetes i projektit, pati një thirrje që shqetësimet e qytetarëve të pasqyruara në gjetjet e këtij barometri, të përdoren për të përmirësuar shërbimet ndaj tyre.
“Ne kemi një bazë të dhënash ku qytetarët kanë shprehur opinionet e tyre për disa nga çështjet dhe unë shpresoj që vendimmarrësit, politikëbërësit t’i marrin në konsideratë sepse qeverisja e mirë dhe demokratike varet nga ndërveprimi mes qytetareve dhe politikëbërësve”, thekson ai.
Papunësia dhe niveli i madh i varfërisë që sjellin largimin e shqiptarëve nga vendi ishin gjithashtu mes shqetësimeve të ngritura nga qytetarët. (A2 Televizion)