Konferenca e kryetarëve vendosi që të shtunën në orën 18:00, të mbahet raundi i katërt për zgjedhjen e Presidentit, i cili, sipas rregullores, do të propozohet nga maxhoranca.
Sipas socialistëve, të shtunën e 4 qershorit, deri në mesditë, është afati i fundit për depozitimin e emrave, që do të diskutohen të premten në mbledhjen e kryesisë së Partisë Socialiste. Në orën 16:00 do të mblidhet Komisioni i Ligjeve për shqyrtimin e kandidaturave, dhe në orën 18:00 do të mbahet seanca.
“Miqësisht ua them, ajo që bëtë në raundin e tretë, bojkot të institucioneve... unë mendova se keni vënë mend nga bojkoti, por ne presim që nëse doni të përfshiheni në këtë proces dhe të kemi dakordësi, gati jemi”, u tha kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, deputetëve të opozitës.

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kritikoi qëndrimin e socialistëve, të cilët, sipas tij, kanë shfrytëzuar ndasitë brenda kampit opozitar. “Edhe pse opozita nuk propozoi asnjë emër, PS kishte detyrimin të përcillte emër edhe në tre raundet e para. Nuk kërkon marrëveshje, por zbaton rregulloren. Po e përsëris, Shqipëria ka nevojë për President mbi palët. Për fatin e keq ju keni vijuar të bëni lojën tuaj”, tha Mediu. (A2 Televizion)