Përplasja Trump-BBC/ Si shpërtheu kriza dhe çfarë ndodh pas padisë së Trump?

Nga Rosalba Bejdo
14 Nëntor 2025, 23:42 | Bota

BBC po përballet me krizën më të madhe në dekada, pasi dy drejtuesit më të lartë dhanë dorëheqjen mes akuzave për anshmëri, që e shtynë Presidentin amerikan Donald Trump të kërcënojë me padi prej “jo më pak se” 1 miliard dollarësh nëse kompania nuk e kompenson. 

BBC kërkoi falje për një dokumentar të Panorama-s, i cili kishte montuar së bashku dy pjesë të ndryshme të një fjalimi të Trumpit më 6 janar 2021, ditën kur mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin, duke krijuar përshtypjen se ai kishte bërë thirrje për dhunë. Megjithatë, media ka refuzuar të paguajë kompensimin, shkruan A2.

Por, si shpërtheu kriza, si financohet dhe si drejtohet një prej mediave më prestigjoze dhe të ndjekura në botë... Skandali nisi nga rrjedhja e një memoje të brendshme nga një ish-këshilltar, i cili listonte, sipas tij, mangësi në mbulimin që BBC i kishte bërë Trump-it, luftës Izrael-Hamas dhe të drejtave transgjinore.

Memoja e Michael Prescott, ish-redaktor politik i “Sunday Times”, paraqiste një sërë gabimesh editoriale që, sipas tij, tregonin njëanshmëri sistemike majtas në BBC.

Prescott ka qenë këshilltar i jashtëm i Komitetit të Udhëzimeve Editoriale dhe Standardeve të BBC-së, që mbikëqyr mbulimin, zbatimin dhe ankesat. Memoja, dërguar bordit të BBC-së, u publikua nga “Daily Telegraph”, një gazetë e djathtë, dhe u shfrytëzua nga kritikët dhe rivalët që kundërshtojnë qasjen liberale dhe financimin publik të BBC-së.

U desh një javë që BBC të reagonte, gjë që krijoi përshtypjen e paralizës përballë një breshërie kritikash.

Korrespondentja e medias Katie Razzall dhe prezantuesi politik Nick Robinson thanë se kishte pasur një përplasje mes drejtuesve të lajmeve dhe bordit: të parët donin të kërkonin falje për montazhin e fjalimit të Trump-it, ndërsa bordi argumentonte se problemi ishte më i thellë dhe lidhej me njëanshmëri të institucionalizuar.

Robinson akuzoi anëtarin e bordit Robbie Gibb, zëdhënës i Theresa May kur ajo ishte kryeministre konservatore, se kishte pretenduar se BBC kishte mangësi sistemike. Gibb nuk komentoi.

Jon Sopel, ish-korrespondent i BBC në Amerikën e Veriut, tha në podcastin e tij se Gibb kishte ndjekur vetëm ankesat për anshmëri majtas në prodhimet e BBC-së, por kurrë ato të akuzuara si të djathta, siç pretendonte e majta në mbulimin e Izraelit.Zyra e shtypit e BBC-së nuk komentoi.

ÇFARË KA THËNË BBC?

Kryetari i BBC, Samir Shah, tha se ishte “fantastike” të pretendohej se një bord armiqësor kishte orkestruar dorëheqjet e drejtorit të përgjithshëm Tim Davie dhe të shefes së lajmeve Deborah Turness.

Në një letër drejtuar ligjvënësve të hënën, Shah tha se BBC nuk kishte fshehur gabimet. Institucioni kishte publikuar korrigjime, kishte ndryshuar udhëzime dhe drejtues, dhe kishte marrë masa disiplinore kur ishte e nevojshme.

Ai tha se memoja e Prescott jepte vetëm një pasqyrë të pjesshme të problemit, por shtoi se ai vetë kishte nisur një rishikim të bordit të standardeve shumë përpara se të merrte memon e Prescott.

Kryetari i Bordit të BBC, Samir Shah, tha: “Ne e marrim shumë seriozisht. Dua të them, ka probleme të vërteta këtu. Por, në një periudhë 3-vjeçare BBC në ka prodhuar qindra e qindra orë gazetarie të shkëlqyer në televizion, në audio, në internet. Ne kemi bërë dhe bëjmë një punë të shkëlqyer, por në mënyrë të pashmangshme bëjmë gabime. Dhe ato që ai ka identifikuar janë gabime, qoftë individuale, ose ato që tregojnë probleme themelore, të cilat ne i pranojmë. BBC financohet nga një tarifë licence e paguar nga të gjitha familjet që shohin televizor në Britani. Në vitin 2024/25, ajo solli 3,8 miliardë paundë, 5,1 miliardë dollarë, ndërsa të ardhurat komerciale e çuan totalin në 5.9 miliardë paund”.

Financimi i BBC-së detajohet në kartën mbretërore 10-vjeçare që skadon në 2027. Qeveria pritet të publikojë opsionet për modele të reja financimi deri në fund të këtij viti, pasi bëhet gjithnjë e më e vështirë të mbrohet tarifa e licencës në një kohë kur shumë shikues kalojnë në Netflix dhe platformat e tjera streaming.

Numri i atyre që paguajnë tarifën ka rënë vazhdimisht, 23.8 milionë vitin e kaluar, krahasuar me 25.3 milionë dy vite më parë.

BBC, mbetet media më e besuar dhe më e përdorur e lajmeve në Britanine e Madhe, sipas sondazheve.

Lajmet e saj arrijnë tek 67% e të rriturve në TV, radio dhe online, sipas Ofcom në korrik, megjithëse ky numër ka rënë me 11 pikë përqindje që prej 2019.

Një sondazh i shpejtë i YouGov të hënën tregoi se gjysma e të pyeturve besojnë se BBC është politikisht e njëanshme;  ndarja bëhet sipas vijave partiake: 31% e konsiderojnë të një anshme majtas, e 19% djathtas.

Bordi me 14 anëtarë do të zgjedhë drejtorin e ri të përgjithshëm. Pesë nga anëtarët jo-ekzekutivë emërohen nga qeveria, përfshirë kryetarin.

Pretendentët për të zëvendësuar Tim Davie përfshijnë: Charlotte Moore, ish-shefe e përmbajtjes në BBC, aktualisht CEO e Left Bank Pictures dhe me rol drejtues në Sony Pictures Television. Jay Hunt, ish-drejtore e BBC One dhe ekzekutive në Channel 4 dhe Channel 5, tani drejtuese kreative për Evropën në Apple. Alex Mahon, ish-shefe e Channel 4, aktualisht në krye të një kompanie eventesh. Carolyn McCall, CEO e ITV. Jane Turton, drejtore e All3Media.

BBC nuk është e vetmja media e përfshirë në një përplasje ligjore me presidentin amerikan Donald Trump.

ABC Neës zgjidhi një padi për shpifje të ngritur nga Trump, duke rënë dakord të dhurojë 15 milionë dollarë për bibliotekën presidenciale të tij dhe të publikojë një deklaratë me të cilën shpreh keqardhje për komentet e bërë nga moderatori George Stephanopoulos.

Trump pretendoi në padinë e paraqitur në mars në një gjykatë federale në Florida se Stephanopoulos e kishte shpifur duke thënë se ai ishte shpallur përgjegjës për “përdhunim’’

Stephanopoulos i referohej çështjes civile të ngritur nga shkrimtarja E. Jean Carroll, e cila e akuzoi Trump-in për sulm seksual në një dyqan në Neë York në vitet ’90. Juria e shpalli Trump-in përgjegjës për shpifje dhe abuzim seksual, por jo për “përdhunim”, i cili sipas ligjit të Nju Jorkut është një akuzë e veçantë.

Trump i ka mohuar akuzat. Ai ka bërë apel ndaj vendimit, si edhe ndaj një padie tjetër të Carroll për të njëjtën ngjarje.

Gjykatësja Cecilia Altonaga kishte rrëzuar kërkesën fillestare të ABC për ta hedhur poshtë çështjen, megjithëse kjo nuk do të thotë se Trump do të fitonte.

Një zëdhënës i ABC News tha se rrjeti ishte i kënaqur që palët arritën një marrëveshje.

Në tetor, Trump paditi CBS me 10 miliardë dollarë, duke pretenduar se rrjeti kishte manipuluar intervistën me atëherë-kandidaten Harris për të “balancuar peshoren në favor të Partisë Demokratike” gjatë zgjedhjeve.

Sipas padisë, CBS transmetoi dy versione të intervistës me Harris ku ajo jepte përgjigje të ndryshme për të njëjtën pyetje mbi luftën Izrael-Hamas.

Trump pretendoi se montazhi i bërë nga CBS shkelte ligjin e Teksasit për Praktikat e Tregtisë Mashtruese.Avokatët e Trump nuk kanë reaguar ende.

Në janar 2023, Trump paditi Simon & Schuster në një gjykatë federale në Florida, duke akuzuar botuesin dhe autorin Bob Woodward për shkelje të të drejtave të autorit përmes “uzurpimit, manipulimit dhe shfrytëzimit sistematik” të incizimeve audio të intervistave me Trump. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos