Buxheti për Bashkinë e Tiranës u shfrytëzua nga Edi Rama për të ulur në një takim publik te besuarën e Veliajt në Bashki, Anuela Ristanin me Ogerta Manastirlin. Eventi duket se përcolli mesazhin e uljes së tensioneve të dy rrymave socialiste në kryeqytet, ndërsa kreu i qeverisë preferoi të fliste më shumë për pensionistët.
Buxhetin për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama zgjodhi ta prezantonte me të besuarën e Erion Veliajt, Anuela Ristanin, por edhe me drejtuesen politike për Tiranën, Ogerta Manastirliu. Ky takim me socialistët e njësisë 2 të kryeqytetit duket se u shfrytëzua nga Rama për të paqtuar mbështetësit e Veliajt me Ogerta Manastirliun, e cila prej 9 muajsh i ka zënë vendin në Partinë Socialiste dhe tentoi t’ia zinte edhe në Bashkinë e Tiranës, shkruan A2.
“Është një situatë e imponuar nga rrethana që nuk varen prej nesh, por është e rëndësishme që secili apo secila të bëj detyrën e vet që gjërat në Bashkinë e Tiranës të shkojnë sa më mirë”, tha Rama.
Fjala e Ramës kalonte hera-herës nga hallet lokale te ato kombëtare, ku mendja duket se i ka mbetur te pensionet. Kreu i qeverisë zgjodhi të jepte një përgjigje se përse ato janë një temë delikate për t’u shqyrtar dhe faj duket se e ka skema me të cilën funksionon i gjithë sistemi, që për ironi të fatit, është reformuar për herë të fundit nga vetë Erion Veliaj kur ishte ministër në kabinetin Rama 1.
“Gjeneratat që punojnë, punojnë për t’u siguruar kur t’ju vijë dita që dalin në pension, por ndërkohë paratë i marrin ata që janë në pension. Ky është një boshllëk shumë i madh”, tha Rama.
Çështjen e pensioneve Rama e mbylli duke premtuar rritjen progresive të tyre vit pas vit deri në pesëfishimin e rritjes në 2030. (A2 Televizion)
