
Gazetarja Lindita Çela, e ftuar në studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN, u shpreh se një hetim i mirëfilltë për 21 Janarin do të ndodhte vetëm nëse do të përfshiheshin të gjitha palët.
“Unë kam një pyetje: me zbulimin qoftë edhe të autorit të vrasjes së Aleks Nikës, a është hetuar 21 Janari? Unë kam ndjekur ngjarjen dhe procedurat e familjarëve në kërkimin e drejtësisë dhe për mua do të ishte hetim i mirëfilltë nëse do të përfshiheshin të gjitha palët”, tha Çela.
“Nuk kemi vetëm një palë, që asaj kohe ishte policia dhe Garda, por kishim edhe një palë tjetër. Nëse 21 Janari përfundon vetëm me gjetjen e autorëve të vrasjes, ne nuk kemi një hetim që të lërë një mesazh që ngjarje të tilla mos të përsëriten më. Në rastin e Sali Berishës, nuk mendoj se ka rëndësi të madhe nëse flet para prokurorëve sepse Berisha ka folur për 21 Janarin. Berisha ka vetëdeklaruar, vetakuzuar dhe vetëdëshmuar”, shtoi gazetarja.
Sipas saj, “Sali Berisha lëshoi urdhër që të mos kontrollohej mirë vendngjarja”.
“Ka pasur pengesa dhe këto pengesat e bëjnë të domosdoshme përgjigjen për pyetjen a ka pasur urdhër për të qëlluar apo jo? Ngjarjet ndodhën kur pothuajse kishte rënë qetësia atë ditë. Po të mos kishte nxitim për të penguar hetimin e mirëfilltë atë kohë, Berisha nuk do të ishte në këtë pozicion sot. Dhe do kishim përgjigje se kush ishin fajtorët e vërtetë të 21 Janarit”, theksoi Lindita Çela.
(A2 Televizion)
