Basha, bisedë me qytetarët që kanë kaluar Covid-19

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2020, 14:16 | Politikë
Basha, bisedë me qytetarët që kanë kaluar Covid-19

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një bashkëbisedim me disa qytetarë të cilët kanë kaluar COVID-19. Në bisedë me kreun e opozitës, qytetarët treguan eksperiencën e tyre në përballjen me virusin.

Gjatë bisedës, qytetarët i thanë Bashës se në shumicën e rasteve, në mungesë të përgjigjes nga shteti, janë detyruar të gjejnë zgjidhje në spitalet private, duke paguar shuma të papërballueshme nga familjet shqiptare.

“Vetëm 30 gjilpëra më kanë kushtuar 1 milion e 800 mijë lekë. Është me të gjitha rregullat nëpërmjet mjekut të familjes që kam marrë. Falë një djali që kam në Angli, me lekët e mia i kam ble. Të gjitha me lekët e mia”, thotë Muharrem Poleshi.

Basha apeloi edhe një herë për kujdes, ndërsa i kërkoi qeverisë që të të ndalë vjedhjen dhe dërgimin e taksave në parajsat fiskale, por të çojë paratë tek qytetarët, mjekët, infermierët dhe tek shëndetësia që të mos humben më jetë: “Edhe në kohën kur njerëzit po vdesin nëpër spitale, prapë se prapë, edhe para disa ditësh, vazhdojnë pagesat në thesar për inceneratorin e Elbasanit. Ne do të bëjmë gjithçka që ta mundim këtë të keqe në të gjitha dimensionet e saj dhe ta shërojmë Shqipërinë edhe të ecim drejt një të ardhme më të mirë ashtu siç dëshironi ju dhe ashtu siç dëshiron çdo shqiptar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos