“Basha ishte dakord me humbjen”, Berisha zbulon se si ktheu rezultatin në vitin 2011

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2021, 18:23 | Politikë
“Basha ishte dakord me humbjen”, Berisha zbulon se si ktheu

Ish-kryeministri Sali Berisha, nga “Foltorja” në Fushë-Krujë, iu përgjigj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili është shprehur në një intervistë të disa ditëve më parë se e fitoi garën për Bashkinë e Tiranës, në vitin 2011, për arsye se përjashtoi Sali Berishën nga fushata.

Berisha tregoi versionin e tij të ngjarjes: “Çdo natë kthehesha dhe ulesha me ish-kryetarin për ta udhëzuar në fushatë. Por, pavarësisht këtyre, do ju tregoj një pjesë tjetër të kësaj ndodhie: u mbyllën numërimet dhe Edi Rama doli me 10 vota para. Mua më njoftojnë se në kutitë e votimeve janë gjetur vota të keqvendosura. Në Kodin Zgjedhor quhen vota të vlefshme. Vota e hedhur gabim në një kuti, quhet e vlefshme. Unë kërkoj që ato vota të numërohen. Nis numërimi dhe këtu fillon pjesa interesante e tregimit. Të nesërmen, një këshilltar amerikan fushate, vjen te mua dhe më thotë që “andej nga Rruga e Elbasanit ka shqetësim shumë të madh për këtë numërim votash që po bën”. I thashë se po numëroj çdo votë në përputhje me dy kodet zgjedhore ndërkombëtare. Por, nëse duan ata të Ambasadës, të shkojnë dhe të shohin çdo votë. Ai ma ktheu se po fliste edhe në emër të zotit Basha, që ishte dakord ta mbyllnim këtë punë. Iu përgjigja se këtë gjë nuk po e bëja për Bashën, por për demokratët shqiptarë. Kjo bisedë është bërë me dëshmitarë”.

Më tej, Berisha shtoi: “Edhe në vitin 2015, erdhi përsëri këshilltari amerikan dhe më tha se unë po e eklipsoja Bashën. E vërtetë i thashë, por e di pse e eklipsoj unë? Sepse ai nuk del për të mbrojtur interesat e demokratëve. Këtu ndodh çdo gjë dhe ai nuk del me deklarata”.

Ish-kryeministri theksoi gjithashtu se e ka penguar Lulzim Bashën për të realizuar bashkëqeverisjen me Edi Ramën: “Opozita dështoi në çdo aksion dhe jo për fajin e demokratëve. Sakrifikuat për shkak të një kryetari që mendonte krejtësisht për vete dhe mendonte në mënyrë absolute se si të shkonte në bashkëqeverisje me Edi Ramën. Dhe nëse ka një vendim për të cilin e ka penguar Sali Berisha, ju siguroj që ka qenë vetëm ky vendim. Pasi, një aleancë me krimin dhe korrupsionin do të ishte dita më e zezë për shqiptarët. Kryetari peng kaloi nga mashtrimi në mashtrim dhe nga dështimi në dështim”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos