
Teksa Parlamenti po përgatitet të miratojë buxhetin e ri dhe ndryshimet fiskale për vitin 2022, fermerët në Lushnjë kanë protestuar për më tepër mbështetje. Ata i bëjnë thirrje deputetëve të mos miratojnë asnjë buxhet që nuk është konsultuar me ta për sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.
Protesta e tyre u mbështet edhe nga deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, sipas të cilit, qeveria është shumë larg nga shqetësimet reale të fermerëve.
“Akademia dhe këto gjërat online për bujqësinë janë një dimension krejt i kundërt. Unë e kam thënë, nuk mund të kemi ministër të lindur në Bllok. Duhet të kemi ministër që të dijë hallet dhe problematikën. Vetë ministrja ka shkuar te këta fermerë dhe u ka thënë që nuk kam guxim të shkoj tek Edi Rama. Mes protestës së parë dhe të dytë dhe thotë se 3,2 miliardë kam, nuk më dëgjon ministrja e Financave. Ato 10 lekë nëse do t’ia japë, të mos ia japë kripë, por t’i lërë ta zgjidhin ata, sepse ata preken në përditshmërinë e tyre”, tha Korreshi i ftuar në Ditarin e drekës në A2 CNN. (A2 Televizion)