
Nga Laçi, ku u takua me qytetarë të papunë dhe biznese të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se qytetarët janë hequr nga puna jo vetëm për shkak të rënies së xhiros së bizneseve, por edhe nga institucionet shtetërore.
Sipas Bashës, bashkia, ujësjellësi dhe ndërmarrjet publike janë shndërruar në hambarë për militantë që nuk shkojnë asnjë ditë në punë.
“Kjo aferë korruptive bëhet për t’i dhënë këto troje për ndërtime shumëkatëshe për sponsorët e regjimit”, tha Basha.
Basha paralajmëroi pushtetin se 40% e shqiptarëve pritet t’i shtohen listës së të papunëve, nëse shteti nuk zbaton urgjentisht planin e rimëkëmbjes me 5 pika të Partisë Demokratike.
Kryetari Basha sqaroi qytetarët dhe sipërmarrësit e vegjël se 5 pikat e Planit të Rimëkëmbjes synojnë pikërisht rikthimin në punë të bizneseve dhe rimarrjen në punë të qytetarëve që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë:
- Çeku prej 1,000 euro për biznesin e vogël për të lehtësuar barrën e pagesave dhe shpenzimeve të papërballueshme për 6 muajt e ardhshëm;
- Pagesa mujore prej 160 mijë lekësh të vjetra për ata që kanë humbur vendin e punës, si minimum konsumi për 6 muajt e ardhshëm;
- Pagesa mujore prej 200 mijë lekësh për çdo punonjës që biznesi rikthen në punë gjatë 6 muajve të ardhshëm;
- Shtesa mujore prej 20 mijë lekësh për pensionistët për shpenzimet shëndetësore shtesë gjatë 6 muajve të ardhshëm”.
Basha u tha qytetarëve dhe sipërmarrësve në qytetin e Laçit se fondet për këtë plan 300 milionë eurosh janë në buxhet dhe për fat të keq sot u jepen një grushti miqsh të regjimit të Edi Ramës.
“Prioriteti numër 1 sot është të shpëtojmë buxhetin e familjeve nga falimentimi deri më 25 prill. Pas 25 prillit, rikthimin e ekonomisë në binarët e rritjes dhe zgjerimin e fuqizimin e klasës së mesme do ta bëjmë bashkë me programin ekonomik të qeverisë së Partisë Demokratike. Pjesë e këtij programi është edhe plani i mbështetjes për bujqësinë që është sektori që punëson më shumë shqiptarë”, u shpreh Basha. (A2 Televizion)