
Më 23 shtator 2026, në Madrid, policia mbërriti në banesën e Maricarmen Abascal, 87 vjeçe, për të ekzekutuar vendimin e dëbimit. Pas më shumë se shtatë dekadash në të njëjtën shtëpi, e moshuara kishte vetëm 30 minuta kohë për të marrë sendet më të domosdoshme dhe për t’u larguar.
Operacioni u shoqërua me praninë e forcave të shumta të policisë, ndërsa jashtë ndërtesës qindra njerëz ishin mbledhur për të kundërshtuar dëbimin. Përpjekjet për të ndaluar ekzekutimin e vendimit përfunduan me përplasje, ndërhyrje të policisë dhe protestues të tërhequr zvarrë nga hyrja e pallatit. Në fund, e moshuara u nxor nga ndërtesa mbi një barelë mjekësore dhe u transportua me ambulancë. Pamjet e saj duke u larguar nën thirrjet e protestuesve tronditën opinionin publik.
“Unë nuk mendoj aspak se kjo është normale. Përkundrazi, e konsideroj plotësisht joproporcionale. E gjithë kjo prani policore dhe përdorimi i forcës më duken krejtësisht të tepruara dhe të panevojshme. Për më tepër, ne jemi përpjekur të negociojmë me pronarët deri në momentin e fundit, por ata i kanë refuzuar kategorikisht të gjitha propozimet.”
Rasti i Maricarmen nuk ishte thjesht një konflikt mes një qiramarrëseje dhe pronarëve të banesës. Ai u bë simbol i një problemi që prej kohësh rëndonte mbi miliona spanjollë: çmimet e papërballueshme të qirave, mungesa e banesave me kosto të arsyeshme dhe presioni gjithnjë e më i madh i tregut të pasurive të paluajtshme në qytetet e mëdha.
Vetëm tri ditë më vonë, më 26 shtator, zemërimi shpërtheu masivisht në rrugët e Madridit. Rreth 25 mijë njerëz iu bashkuan protestës në qendër të kryeqytetit. Me pankarta ku shkruhej “Ndal dëbimeve” dhe “Asnjë Maricarmen tjetër”, demonstruesit kërkuan ndryshime të thella në politikat e strehimit. Organizatorët kërkuan kufizimin e qirave afatshkurtra, ngrirjen e çmimeve të qirave dhe mekanizma që të pengonin dëbimin e familjeve pa u siguruar më parë një alternativë strehimi.
Protesta nuk u ndal në Madrid. Ajo u përhap në qytete të tjera dhe shumë shpejt mori përmasa kombëtare. Më 28 shtator, kryeministri Pedro Sanchez u përpoq të jepte një përgjigje politike.
“Ne duhet të veprojmë për çështjen e strehimit. Duhet të përqendrohemi te mundësia për të pasur një banesë dhe t’u japim përparësi banesave për qëllime rezidenciale, përpara qirave turistike. Duhet të shtojmë alternativat e strehimit me çmime të përballueshme, të përshtatura me realitetet e reja shoqërore. Këto janë sfidat me të cilat përballemi.”
Por fjalët e kryeministrit nuk mjaftuan për të qetësuar situatën. Po atë mbrëmje, mijëra njerëz protestuan në Barcelonë, ndërsa demonstratat u shoqëruan edhe me përplasje me policinë dhe shkatërrimin e barrikadave.
Në Madrid, protestuesit vendosën të mos largoheshin. Sheshi qendror Puerta del Sol u shndërrua në një kamp të improvizuar, me tenda ku aktivistët kalonin natën dhe organizonin protestat e tyre. Një lëvizje që nuk kërkonte më vetëm zgjidhjen e rastit Maricarmen, por një ndryshim të gjithë sistemit të strehimit.
Më 29 shtator, pas ditësh presioni, erdhi një zhvillim i rëndësishëm. U arrit një marrëveshje që do t’i lejonte 87-vjeçares të kthehej në banesën e saj.
Në të njëjtën ditë, qeveria e Sanchez njoftoi një paketë masash të reja. Ndër propozimet kryesore ishte zgjatja deri në vitin 2030 e mbrojtjes sociale për qiramarrësit vulnerabël, përfshirë ndalimin e dëbimeve në raste të caktuara. Gjithashtu, parashikohej zgjatja e kontratave deri në vitin 2028 dhe kufizimi i blerjeve spekulative të pronave nga fondet e investimeve të njohura si “fondet grabitqare”. Ministrja e Strehimit, Isabel Rodriguez, e prezantoi paketën si një përpjekje për të mbrojtur qytetarët më të rrezikuar.
“Ne do ta zgjasim deri më 31 dhjetor 2030 vlefshmërinë e mburojës sociale dhe do të përmirësojmë të gjithë mekanizmat mbrojtës të vendosur nga autoritetet publike, për të parandaluar situata të tilla dhe për të mbrojtur të gjithë qytetarët.”
Por edhe këto masa u konsideruan të pamjaftueshme nga aktivistët. Protestat u përhapën në Barcelonë, Gran Canaria dhe qytete të tjera. Në sheshe u ngritën tenda, ndërsa një nga parullat që u bë simbol i lëvizjes ishte: “Shtëpia nuk është një mall tregtar”. Më 2 tetor, fati i paketës u vendos në Kongresin e Deputetëve. Pedro Sanchez u shfaq në parlament pak para votimit, duke u bërë thirrje deputetëve të linin mënjanë interesat politike dhe të mbështesnin masat.
Por thirrja i tij nuk ndryshoi rezultatin. Dekreti u rrëzua me 178 vota kundër dhe 172 pro. Një humbje e rëndë për qeverinë, e cila nuk arriti të siguronte shumicën për një nga çështjet më të ndjeshme sociale të vendit. Jashtë parlamentit, protestuesit reaguan me zemërim. “Fitimet tuaja, mjerimi ynë”, ishte një nga sloganet që jehoi në rrugët e Madridit.
“Ne, klasa punëtore, do të vazhdojmë të luftojmë dhe të organizohemi. Sepse ndërsa ata votonin, familjet vazhdonin të dëboheshin. Jetët e njerëzve vazhdonin të shkatërroheshin. Ato masa ishin vetëm zgjidhje të përkohshme, madje krejtësisht të pamjaftueshme.”
Më 3 tetor, protestat vazhduan me mijëra njerëz në rrugët e Madridit, ndërsa në Valencia pati përplasje mes demonstruesve dhe policisë. Kriza e strehimit tashmë kishte dalë përtej një debati ekonomik. Ajo po shndërrohej në një problem të drejtpërdrejtë politik për qeverinë. Dhe vetëm dy ditë më vonë, më 5 tetor, Pedro Sanchez mori vendimin që ndryshoi të gjithë kalendarin politik të Spanjës. Pas dështimit në parlament dhe përshkallëzimit të protestave, ai shpalli zgjedhjet e parakohshme për 29 nëntor, duke kërkuar një mandat të ri politik përballë një parlamenti të fragmentuar.
“Pas informimit të kreut të shtetit, kam vendosur të thërras një mbledhje të jashtëzakonshme të kabinetit këtë mëngjes, për të shpërndarë parlamentin spanjoll dhe për të shpallur zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të mbahen të dielën, më 29 nëntor.”
“Shtëpitë tona dhe familjet tona nuk do të presin kalendarin elektoral. Rruga përpara është e qartë: organizimi i një greve të përgjithshme për të drejtën e strehimit. Greva e përgjithshme është e vetmja rrugë përpara. Kjo është ajo që ka rëndësi, pavarësisht se kush është në pushtet.”
Më 7 tetor, Maricarmen Abascal ndërroi jetë. Gruaja 87-vjeçare, dëbimi i së cilës kishte ndezur protestat në të gjithë Spanjën, u bë edhe më shumë simbol i zemërimit qytetar. Ajo ishte shtruar në spital për shkak të ankthit të rëndë dhe rraskapitjes pas dëbimit të 23 shtatorit. Shkaku i vdekjes nuk u bë publik.
Lajmi shkaktoi tronditje dhe zemërim. Qindra njerëz dolën në rrugët e Madridit, duke mbajtur çelësat e shtëpive në duar dhe duke kërkuar përgjegjësi politike. Përpara parlamentit u dëgjuan thirrjet “Vrasës!”, ndërsa në vendin nga ku ishte nxjerrë Maricarmen u vendosën lule dhe u ngrit një memorial në nder të saj. Një ditë më vonë, më 8 tetor, mijëra njerëz marshuan në qendër të kryeqytetit. Fotografia e saj u ngrit lart nga demonstruesit, ndërsa dritat e telefonave ndriçuan rrugët në një homazh për gruan që ishte kthyer në fytyrën e krizës së strehimit. Në Barcelonë, një grafiti e paraqiti atë si një engjëll, me një çelës shtëpie në dorë dhe mesazhin: “Maricarmen përgjithmonë”.
Në prag të zgjedhjeve të 29 nëntorit, strehimi mbetet një nga çështjet më të rëndësishme për të ardhmen politike të Spanjës. Për qeverinë e Pedro Sanchez, sfida nuk është më vetëm të fitojë mbështetjen e një parlamenti të përçarë, por të bindë qytetarët se mund të ofrojë zgjidhje për një problem që prek drejtpërdrejt jetën e tyre. (A2 Televizion)