Dinamo po kalon një nga periudhat më të vështira të këtij sezoni në kampionat. Skuadra e Ilir Dajës ka humbur ritmin e fillimit të sezonit dhe rezultatet e javëve të fundit kanë ngritur pikëpyetje mbi ecurinë e bluve, që tashmë po humbasin terren në garën për kreun.
Humbja 1-0 në transfertë ndaj Elbasanit ishte goditja e radhës për dinamovitët, të cilët vinin edhe pas disfatës 0-2 përballë Skënderbeut në shtëpi, shkruan A2.
Dy rezultate që konfirmojnë momentin e vështirë të skuadrës kryeqytetase, e cila nuk njeh fitore në katër ndeshjet e fundit të kampionatit. Në pesë takimet e fundit, Dinamo ka regjistruar vetëm një fitore, atë 2-1 ndaj Egnatias, dy barazime me Tiranën dhe Vorën, si dhe dy humbje radhazi ndaj Skënderbeut dhe Elbasanit.
Shifrat e 12 javëve të para tregojnë një skuadër me luhatje të mëdha. Dinamo numëron 17 pikë, me pesë fitore, dy barazime dhe pesë humbje. Tashmë, kalendari nuk i rezervon aspak një sfidë të lehtë. Më 27 nëntor, Dinamo do të përballet me Partizanin në derbin e kryeqytetit. Një ndeshje që vlen më shumë se tri pikë, pasi për Ilir Dajën dhe futbollistët e tij është një mundësi për të reaguar, për të ndërprerë serinë negative dhe për të rikthyer besimin.
Dinamo ka nevojë urgjente për një kthesë. Përndryshe, një sezon që nisi me ambicie të mëdha rrezikon të komplikohet shumë më shpejt nga sa pritej. (A2 Televizion)