Basha në Njësinë 6: Stop zvarritjeve, Rindërtimi do të përfundojë nga ne

Nga A2 CNN
4 Mars 2021, 11:45 | Politikë
Basha në Njësinë 6: Stop zvarritjeve, Rindërtimi do të

Në vijim të takimeve me qytetarët kreu demokrat, Lulzim Basha, është ndalur sot në njësinë 6 në Kombinat. Ai foli për programin e demokratëve për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti, proces për të cilin pati shumë ankesa nga banorët.

"Rindërtimi është kthyer në një skemë abuzimi, vjedhjeje dhe shpërdorimi. Kjo është arsyeja kryesore dhe arsyeja e vetme pse njerëzit po vuajnë. Se këta edhe rindërtimin e kanë parë si një mundësi për të vjedhur njerëzit. Si një mundësi për të mbushur xhepat e tyre. Unë ju garantoj që qeverisja e ardhshme do të ketë ekspertë që do të përshpejtojnë dhe do t’i japin fund procesit të zvarritur të të gjithë familjeve të dëmtuara nga tërmeti sipas kërkesave të tyre, jo sipas planeve të oligarkëve dhe të hajdutëve. Prandaj 25 prilli është një ditë ndryshimi për të gjithë dhe është një ditë fitoreje edhe për familjet e goditura nga tërmeti. Ne do të bëjmë procesin transparent, do ta përshpejtojmë. Ne do t’i japim fund kalvarit tuaj të vuajtjeve".

Kreu i PD-së deklaroi se ai ka një plan angazhimesh konkrete për t’i realizuar pas 25 prillit, ndryshe nga kryeministri Rama që, sipas tij, bën vetëm premtime boshe.

"Kanë 8 vjet në pushtet. Sa herë vijnë zgjedhjet premtojnë, asnjëherë nuk i kanë mbajtur premtimet. E nisëm bisedën dhe ju përmenda. Premtoi 300 mijë vende pune, çoi 300 mijë e kusure shqiptarë në azil. Premtoi shëndetësi falas, po e shikoni, tani që erdhi pandemia i kanë dalë petët lakrorit, por ju e dini 8 vite me radhë sa keq ka qenë shëndetësia, se lekët e shëndetësisë i ka marrë dhe ia ka dhënë një grushti oligarkësh. Premtoi legalizime falas, të njëjtën gjë premtoi edhe me tërmetin, të njëjtën gjë premtoi edhe me pandeminë edhe në kohën e pandemisë me tendera sekretë vodhi lekët e shqiptarëve në vend që t’ju jepte ndihmë. Kur vjen koha e zgjedhjeve hap thesin e premtimeve boshe. Me mua s’ka premtime. Ne kemi dy vjet që punojmë për një plan. Dy vjet kemi që punojmë për këtë plan me ekspertët më të mirë shqiptarë dhe të huaj që na mbështesin. Nuk ka premtime. Këto janë angazhime, janë pjesë të një plani", tha Basha, i cili shtoi se synimi kryesor i PD-së, është të krijojë 110 mijë vende pune të mirëpaguara dhe të rikthejë shpresën te rinia që të mos largohet nga vendi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos