Bashkëpunim Rama-Basha? Andoni tregon se si mund të ndodhë

Nga A2 CNN
15 Prill 2021, 22:33 | Politikë
Bashkëpunim Rama-Basha? Andoni tregon se si mund të ndodhë

Në emisionin “Absolut 4” në A2 është diskutuar dhe ftesa që i bëri ditët e fundit kryeministri Edi Rama kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha për një bashkëpunim të mundshëm pas zgjedhjeve të 25 prillit, me kushtin e vetëm që të ndahet nga Berisha dhe Meta.

Për analistin Ben Andoni një bashkëpunim i tillë nuk është i pamundur, por kjo gjë duhet parë më 26 prill, nëse diferencat mes dy partive do të jenë shumë e ngushtë.

“Ky është një lloj shkarkimi i ideve që kanë dy liderët. Ajo që më ka shqetësuar në këtë fushatë është që ka një reshtje të ideve. Kanë reshtur shumë shpejt edhe pse ky vit iu dha mundësinë që të mund të elaboronin gjëra shumë më interesante për vendin tonë. Personalisht këtë ide e kam parë që para një viti e gjysmë, ku jam shprehur se është i mundur afrimi. Por që të bëhet një afrim i tillë më duket se nuk është i sinqertë nga kryeministri Rama dhe ka një lloj paqartësie dhe nga zoti Basha për një arsye të thjeshtë.

Përpara vendimeve të tilla parashtrohet një platformë sepse kjo nuk bëhet thjeshtë në këtë lloj mënyre. Në një farë mënyrë ky lloj ligjërimi i Edi Ramës dhe sjellja e zotit Basha tregon se brenda partive nuk ekziston kjo demokracia e brendshme sepse për ide të tilla duhet të marrësh mendim forumesh. Kjo është një ide më shumë në tregun e ideve të vërteta për zhvillimin e vendit që nuk erdhën në këtë fushatë. Duhet të presim 26 prillin. Nëse hapësira do të jetë e vogël nuk përjashtohet fare”, tha Andoni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos