BE vs. Turqi, solidariteti me Shqipërinë pas tërmetit dhe Covid

Nga A2 CNN
7 Janar 2021, 19:33 | Aktualitet
BE vs. Turqi, solidariteti me Shqipërinë pas tërmetit dhe Covid

Vizita dyditore e kryeministrit Edi Rama në Turqi, përveç zotimit për ndërtimin e një spitali të ri në Fier, si ndihmë nga Turqia, shënoi edhe disa qëndrime të tij mbi mbështetjen ndërkombëtare ndaj Shqipërisë. Në tonet e kryeministrit ndihej një hatërmbetje ndaj vendeve të Bashkimit Europian.

“Solidariteti i Turqisë ka qenë edhe në momentin kur ajo u godit nga koronavirusi. Turqia na qëndroi pranë dhe nuk u soll si shumë të tjerë që njësoj si mbyllën qytetarët në shtëpi, mbyllën dhe shtetet e tyre dhe nuk lejuan as kalimin e ndihmave. Një nga temat e bisedimeve ishte bashkëpunimi më i afërt dhe në përballjen me pandeminë pa u kursyer. Edhe pse Turqia ka problemet e saj, nuk u ndal në projektin për rindërtimin e banesave të premtuara në Shqipëri”, tha Rama.

Krahas premtimit të spitalit në Fier, trajnimin e stafit mjekësor shqiptar dhe restaurimin e Xhamisë së Plumbit, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se Turqia ishte investitori më i madh i huaj në Shqipëri dhe premtoi se investimet do rriteshin në të ardhmen. 

“Turqia është partneri tregtar i katërt më i madh i Shqipërisë. Duke marrë parasysh dhe shërbimet kontraktuese, ne jemi investitori më i madh i huaj në Shqipëri, me një investim total prej 3,5 miliardë dollarë”, u shpreh Erdogan.  

Por ballafaqimi i shifrave sjell një tjetër të vërtetë. Turqia nuk është investitori më i madh në Shqipëri. Vende si Holanda apo Italia e lënë pas.

Më 19 mars 2020, 10 ditë pas shfaqjes së Covid-19 në Shqipëri, Rama tha se kjo ishte një luftë për ekzistencë ku Shqipëria ishte vetëm.

Por vetëm 5 ditë pas kësaj deklarate, Bashkimi Europian akordoi një grant prej 50 milionë eurosh në ndihmë të Shqipërisë. Nga to, 4 milionë ishin për pajisje mjekësore, 11 milionë për mbështetje sociale dhe 35 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike.

Turqia, nga ana tjetër, e ndihmoi Shqipërinë me 6 autoambulanca dhe pajisje mjekësore gjatë pandemisë.

Gjithashtu, më 28 dhjetor 2020, Komisioni Europian miratoi një paketë prej 70 milionë eurosh në kuadrin e Instrumentit për Para Anëtarësim (IPA II) për të ndihmuar financimin e qasjes së partnerëve të Ballkanit Perëndimor në vaksinat e Covid-19. 

Ndihma europiane për fatkeqësi që kanë përfshirë Shqipërinë nuk kufizohet te pandemia. Dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, përveç humbjeve të mëdha në jetë njerëzish, u vlerësuan në rreth 1.15 miliardë euro. Më 17 shkurt të vitit 2020, në Konferencën e Donatorëve, të mbajtur në Bruksel, qeveria shqiptare siguroi në parim një shumë të përafërt me faturën e dëmeve, në formë donacionesh dhe huash.

Vetëm Komisioni Europian dha 150 milionë euro grant. Ndërsa vendet e Bashkimit Europian ofruan një shumë të përgjithshme prej rreth 160 milionë euro në formë grantesh dhe kredish.

Turqia, nga ana tjetër dhuroi 45 milionë euro për ndërtimin e komplekseve të banimit për personat e prekur nga tërmeti.

Në tërësi, Bashkimi Europian, apo edhe vende tjera të përveçme, kanë kontribuuar më shumë se Turqia në formë ndihme ndaj situatave dramatike që po kalon vendi, apo edhe si prurje direkte në ekonomi përmes investimeve të ndryshme. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/01/07/nga-darka-me-erdogan-tek-ajo-me-mitsotakis-mediat-greke-zbulojne-agjenden-e-rames-ne-athine/
https://a2news.com/2021/01/06/vizita-e-rames-ne-turqi-krasniqi-u-thane-te-paverteta-per-be/
https://a2news.com/2021/01/06/rama-turqia-na-u-gjend-prane-kur-te-tjeret-mbyllen-kufijte-dhe-per-ndihmat/

A2 CNN Livestream

Latest Videos