Një plagosje e rëndë me sende të forta ka ndodhur në lagjen nr. 14 në Durrës. Policia njofton se 25-vjeçari Kristo Domi ka plagosur në kokë pas një konflikti për motive të dobëta një person.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së njoftimit për një konflikt fizik midis dy shtetasve, në lagjen nr. 14, Durrës, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Pas veprimeve të shpejta, u bë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar, kapja dhe shoqërimi i tij në Komisariatin e Policisë Durrës, për veprime të mëtejshme. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin K. D., 25 vjeç, banues në Durrës”, njofton policia.
I plagosuri, pas trajtimit mjekësor në Spitalin e Durrësit, është transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin Universitar të Traumës, në Tiranë.
“Ky shtetas ishte konfliktuar në rrugë, në lagjen nr. 14, për motive të dobëta, me shtetasin G. M., i cili gjatë konfliktit ka pësuar dëmtime në kokë dhe pas trajtimit mjekësor në Spitalin Rajonal Durrës, është transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin Universitar të Traumës, në Tiranë”.
Materialet procedurale do të referohen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. (A2 Televizion)