Siguria detare, bllokohen 35 mjete lundruese, shpëtohen 19 turistë

Nga A2 CNN
17 Gusht 2025, 14:06 | Aktualitet

Siguria detare, bllokohen 35 mjete lundruese, shpëtohen 19 turistë

Policia detare dhe ajo kufitare kanë vijuar monitorimet me qëllim ruajtjen e sigurisë detare. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat policia bën të ditur se si rezultat i monitorimeve dhe kontrolleve të kryera nga Komani në Ksamil, gjatë javës janë bllokuar 35 mjete lundruese për shkelje të ndryshme, nga 525 të kontrolluara.

“Konkretisht 22 jet ski, 5 skafe, 6 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji të instaluar. 14 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100.000 lekësh secili”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, janë shpëtuar në det 19 shtetas shqiptarë dhe të huaj dhe 6 mjete lundruese falë ndërhyrjes së Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare nga Ksamili në Koman.

Po kështu “nga Policia Kufitare e Sarandës, në bashkëpunim me homologët grekë, është lokalizuar dhe bllokuar jashtë zonës së perimetrit të sigurisë në plazhin e Pemës së Thatë Ksamil-Sarandë, një gomone e vjedhur në zonën e quajtur Lefkadha, Greqi. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve”.

Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese: Mos shkelni perimetrin e sigurisë; lundroni vetëm në zonat e lejuara dhe pajisuni me mjetet e nevojshme të shpëtimit.

Gjithashtu Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të lundrimit apo të perimetrit të sigurisë në numrin pa pagesë 112, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos