Begaj President, Alibeaj: Farsa e radhës, opozita i duhej Ramës vetëm për fasadë

Nga A2 CNN
4 Qershor 2022, 19:52 | Politikë
Begaj President, Alibeaj: Farsa e radhës, opozita i duhej Ramës

Enkelejd Alibeaj, i cili me disa dhjetëra deputetë të Partisë Demokratike bojkotuan seancën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, reagoi pas votimit të Bajram Begajt në Kuvend.

“Për shqiptarët e mësuar me lojërat e politikës së vjetër, shfaqja e sotme, që nga propozimi i emrit, procedurat e përshpejtuara dhe përfshirja e non grata-ve të Parlamentit, dëshmuan dhe njëherë se nuk ka asnjë të re nga fronti i atyre që mbajnë njëri-tjetrin në skenën e politikës.

Grupi parlamentar i PD vendosi të mos marrë pjesë në këtë seancë fasadë votimi, sikundër në mënyrë tejet transparente, përgjatë disa takimeve mediatike në sy të publikut u tregoi shqiptarëve që nuk bëhet pjesë e bojkotit të institucioneve apo negociatave, kulisave apo pazareve. Por kurrsesi nuk mund të shndërrohej në garniturë të pjatës së servirur nga Edi Rama”, tha Alibeaj.

“Shqipëria kishte nevojë jo vetëm për një President të të gjithëve, por mbi të gjitha për një proces gjithëpërfshirës, transparent e real, i cili t’i jepte atij besimin e të gjithë shqiptarëve. Produkti i këtij procesi do mund të shihej kështu si bartës i unitetit të popullit, si njeriu mbi palët, si zbutës e moderator i klimës politike dhe si rregullator i ngërçeve insititucionale.

Presidenti i Republikës forcën e vet e merr nga besimi dhe legjitimiteti që populli i jep. Ishte ky detyrimi që secila palë politike, e cila pretendon të përfaqësoje sinqerisht shqiptarët, duhej të angazhohej e të përmbushte kështu detyrimin e saj kushtetues, politik dhe institucional. Këtë besuam e besojmë, dhe kësaj i shërbyem. E sotmja po, por edhe e ardhmja do na gjykojë e japë të drejtë!”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos