
Partia Demokratike e Rithemelimit ka akuzuar GJKKO-në se ka zbatuar urdhër partiak, pasi gjykata vendosi ta lërë në burg fituesin e zgjedhjeve të 14 majit për bashkinë Himarë, Fredi Beleri.
Grupimi i Sali Berishës në PD, në një reagim shprehet se vendimi i gjykatës konsiderohet prej tyre si politik ndërsa shtohet se Beleri mbahet në arrest si i burgosur politik "dhe jo si abuzues votash."
Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës Fredi Belerit, i është refuzuar kërkesa për leje të posaçme për të marrë pjesë në konstituimin e këshillit bashkiak të Himarës dhe betimit si kryebashkiak.
Njoftim i PD-së së Rithemelimit
GjKKO ka zbatuar kështu urdhrin partiak, dhe jo normat e shtetit të së drejtës, duke ia mohuar kandidatit fitues të bëjë betimin dhe qyetarëve të Himarës frutin e votës së lirë dhe përfaqësimit.
Partia Demokratike e konsideron vendimin si politik dhe dënon me forcë çdo hap që i bën gjykatat e vendit shkelëse të parimit të ndarjes së pushteteve.
Për Partinë Demokratike, Fredi Beleri mbahet në arrest si i burgosur politik, si kandidat i opozitës dhe si kryetar i zgjedhur i qytetarëve të Himarës, dhe jo si abuzues votash. Po të ishte për manipulime, vjedhje dhe abuzime në qelitë e paraburgimit, do të ishin 53 kandidatët e PS me në krye Edi Ramën.
Fredi Beleri nuk i prishi Edi Ramës ëndrrën totalitare të hartës politike rozë, por i zuri rrugën e planeve të tij për investime strategjike me ministrat e famijes dhe familjarët e ministrave në bregdetin e Bashkisë së Himarës.
Për këtë, ai e shënjestroi që nga fillimi dhe urdhëroi arrestimin e tij.
Për këtë, atij i refuzohet lirimi me kusht, ndërsa ish-ministrave të tij u lejohet.
Për këtë, Edi Rama luan nacionalistin në Himarë dhe internacionalistin në Beograd e Prishtinë.
Nuk është punë kombesh, sepse kur ka interes, Edi Rama bëhet tregtar flamujsh.
Shihni si po shet interesat Kosovës, duke punuar çdo ditë për ndarjen e saj me padronin e vet, Vuçiç.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme rrëzoi sot kërkesën e Fredi Belerit për të marrë pjesë në mbledhjen e konstituimit të Këshillit Bashkiak, Himarë.
Mbledhja e parë është vendosur të mbahet më 27 qershor, ditën e nesërme dhe në të njëjtën ditë procedura parashikon edhe betimin e kryetarit të zgjedhur, Fredi Belerit.
Referuar ligjit, që mbledhja e Këshillit Bashkiak të quhet e vlefshme duhet të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të zgjedhur.
Që do të thotë se të martën në sallë duhet të jenë patjetër 11 nga 21 këshilltarët bashkiakë. Partia Socialiste zotëron shumicën me 9 anëtarë bashkë me aleatët e saj Social-Demokratët e Tom Doshit dhe MEGA e për rrjedhojë mbetet për t’u parë nëse do të marrin pjesë për të bërë konstituimin, ndërkohë që kryetari i zgjedhur vijon të jetë në burg.
Beleri u arrestua për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje” 2 ditë para 14 majit. (A2 Televizion)