
Mediat italiane raportojnë se Andrea Belotti është gati për të nisur një aventurë të re në Itali dhe e lidhin të ardhmen e sulmuesit me ekipin e Romës.
Sipas Sky Sport Italia e Sportitalia, Belotti ka arritur marrëveshje trevjeçare me Romën që pritet të nënshkruhet sapo të kompletohet largimi i Eldor Shomurodov nga ekipi kryeqytetas.
Ish-sulmuesi i Torinos ishte një lojtar i lirë prej 30 qershorit, kur i skadoi kontrata dhe nga ajo kohë shumë klube kishin shfaqur interesin për ta afruar në merkaton e kësaj vere.
Mediat shtojnë se Belotti do të përfitojë te Roma rreth 2.8 milionë euro në sezon plus bonuset, kështu që paga e tij mund të arrijë deri në 3.5 milionë euro. (A2 Televizion)