
Ish kryeministri Sali Berisha ka kërkuar një fushatë me debat në këto zgjedhje të 14 majit. Pas refuzimeve të herëpashershme që Edi Rama i ka bërë duke thënë se “nuk merret me Non Grata”, Berisha sot i ka bërë sërish thirrje që të dalin “kokë më kokë” në një debat. Ftesa ka qenë jo vetëm për Ramën, por për të gjitha nivelet që nga kandidati për kryetar Bashkie ashtu edhe për Këshilltar Bashkiak.
“Unë besoj se transparenca dhe përgjegjësia përpara qytetarëve kërkon në mënyrë imperative debatet në të gjitha nivelet midis kandidatëve që garojnë për kryetar bashkie. Midis këshilltarëve të parë, që garojnë për kryetarë të parlamenteve lokale” , tha Berisha.
Ai thotë se refuzimi i Ramës, ka ardhur sepse ka frikë nga përballja me të.
“A mund të imagjinoni ju të dalë përpara qytetarëve Edi Rama, në debat me Sali Berishën?Ky është një rast i artë për qytetarët shqiptarë, për t’u njohur me të gjitha aferat me dokumente zyrtarë, që mbajnë firma e vula të vjedhjes së Edi Ramës. Me të gjithë tenderat e fituar nga baxhanaku dhe thjeshtra e tij në kundërshtim flagrant me ligjet.
Është një rast për t’u njohur qytetarët shqiptarë, për të gjitha pasuritë e tij dhe larjen e parave në këto pasuri të Edi Ramës. Origjina e parave për ndërtimin e pallatit në pajë pesëkatësh në sheshin e pallateve në Tiranë. Pallatit famoz për të cilin nuk ekziston asnjë faturë e asnjë lloji përveçse një larje parash e pastër, e qartë. Po kështu, me sarajet e Surrelit, 720 metër linear të gjata themele. 5 mijë metër katror parku përreth shtëpisë me ullinj që shkojnë të shkulur anekënd vendit dhe që shkojnë dhjetëra mos qindra mijëra euro.
Pra, Edi Rama nuk del dot në debat sepse është i rrethuar nga të katër anët nga muret e krimeve të tij, lidhjet e tmerrshme me McGonigalin, të cilat edhe dje u denoncuan si lidhje që po hetohen intensivisht nga drejtësia e SHBA”, tha Berisha.
Berisha e mbyll deklaratën e tij duke thënë se kjo është e vetmja formë për të bërë transparencë mbi programet e secilit kandidat. (A2 Televizion)