Berisha në Kombinat dhe Astir: Vasal i Vucic, Rama armik i identitetit kombëtar, 12 nëntori shënon “siparin” drejt largimit  

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2022, 20:44 | Politikë
Berisha në Kombinat dhe Astir: Vasal i Vucic, Rama armik i identitetit

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim në kryeqytet me mbështetës të zonave të Kombinatit dhe Astirit, ku ish-kryeministri riktheksoi rëndësinë e protestës së 12 nëntorit dhe shigjetoi sërish kryeministrin Edi Rama, të akuzuar për ato që sipas tij janë skandale të korrupsionit por edhe për politikën e jashtme.

Berisha paralajmëroi “protestë të fuqishme, të paparë ndonjëherë në Tiranë sepse kurrë në 30 vite ju banorë të Kombinatit, të Astirit, të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë nuk keni patur në krye të qeverisë një armik të qenies tuaj një armik të identitetit tonë kombëtar”.

Duke marr shkas nga polemikat e fundit me Britaninë e madhe ai theksoi se “po pyesin këto kohë mediat britanike dhe botërore: Ç’po ndodh me shqiptarët? Çfarë po ju vret atyre shpresën? Po ndodhin shumë gjëra. Por ajo që vret më shumë shpresën është humbja e besimit tek vota. Se shqiptarët nuk janë të pa mençur, jo, janë të mençur, por dhe ata e kuptojnë se nëse në vendin e tyre pushteti do të ndërrohej me votë, një njeri si ky nuk mund të rrinte as 4 ditë në pushtet. Ky hajdut vendin e ka në burg. Dhe vetëm në burg. Në një kohë kur pensionisti numëron qindarkat për të mbyllur ditën, ky firmos për ndërmarrjen e tij 430 milion euro. Çfarë prindi mund të jetë ai që mbyll kopshtin e 250 vogëlushëve? A mund ta bëjë një prind këtë, duke marrë urdhër nga kryetari i një shteti tjetër? Si mundet? Çfarë prindi është ai që udhëton 137 herë me avion charter, shpenzon 22 milionë euro”.

Berisha akuzoi sërish Ramën për rolin e tij vasal ndaj Serbisë. “Ky rend si vasal i Aleksandar Vuçiç nga Samiti në Samit, duke e mbrojtur, në një kohë kur Europa dhe NATO i thotë zotëri do të qëndrosh me rusët apo do kthehesh këtej? Ky është i vetmi njeri në Europë, skllav i Vuçiç që thotë mos ma luani padronin, mos i thoni të zbatojë sanksionet se populli serb 80% e tyre duan Putinin”.

Berisha sulmoi edhe pjesë të trupit diplomatik në Tiranë. “Ka vërtetë miq të shkëlqyer, por midis tyre ka të korruptuar fund e krye që flasin dhe lexojnë ato që thotë kjo qeveri e korruptuar. I çohen qeverisë së tij si të vërteta deklaratat e pengut të Edi Ramës, Lulzim Bashës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos