Berisha: PD do të paraqesë 23 amendamente për buxhetin, do të kërkohet rritja e pagave me 25 për qind

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2022, 13:50 | Politikë
Berisha: PD do të paraqesë 23 amendamente për buxhetin, do

Partia Demokratike do të kërkojë që në buxhetin e vitit 2023 që do të miratohet brenda pak ditësh në Parlament, të përfshihen 23 amendamente të saj, mes të cilave edhe ai për rritjen me 25% të pagave.

Kështu tha kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së. “Amendamentet e paraqitura përbëjnë natyrisht një përmbysje reale të planifikimit dhe shpërndarjes së buxhetit, nga një buxhet për t’u vjedhur, në një buxhet në shërbim të qytetarëve, nevojave të tyre, rrogave dhe pensioneve të tyre, më të ulëtat në rajon, dhe që me këtë buxhet bëhen edhe më të ulëta, siç e paraqitën ata. Në buxhet, në amendamentet e përgatitura, janë përparësuar, pas rrogave dhe pensioneve, ku kërkohet një rritje 25 për qind e rrogave dhe pensioneve, një rritje shumë e ndjeshme e tyre, janë përparësuar buxheti për arsimin, i cili përsëri është diskriminuar, është përparësuar buxheti për shëndetësinë, janë përparësuar lëvizje dhe masa fiskale në favor të qytetarëve për të ulur përballimin e çmimeve të tmerrshme që ka sot”, tha Berisha në mbledhjen e transmetuar live në YouTube.

Berisha tha gjithashtu se do të kërkohet ulja e TVSH-së në 6 për qind për energjinë dhe ushqimet, barazimi i TVSH-së për produktet bujqësore, heqja e akcizës së gazit, limiti i arkës dhe rimbursimi i të gjitha dëmeve të Covid-it për bizneset.

Sa i përket krizës energjetike, Berisha tha se propozohet krijimi i fondit rezervë të KESH në mënyrë që dëmshpërblimi i të përmbyturve të mos jetë më çështje mundësie, por çështje detyrimi real ku KESH të detyrohet të mbajë një fond prej 15 për qind për përmbytjet që krijon në zonat ku janë të vendosura digat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos