
Në një konferencë për mediat, këtë të enjte, Sali Berisha u shpreh se ka informacione se Europol ka sjellë të dhëna në prokurori për Taulant Ballën, ministrin e ri të Brendshëm.
“Emërimi i Taulant Ballës në krye të Ministrisë së Rendit është de facto emërim i krimit në krye të asaj ministrie. Taulant Balla, me dokumente zyrtare, rezulton i lidhur ngushtësisht me bandat e Elbasanit, Librazhdit, Cërrikut, Lushnjës dhe bandën Rraja, klanin Rraja. Mundet për të tjera, por për këto ka dokumenta. Taulant Balla është nën hetim, që ta dini ju. Është thirrur të paktën tri herë në SKAP-in e partisë për lidhjet e tij me Xhaferrin, ndikimin e tij në tendera për kompaninë e tij që e ka në emër të të shoqes dhe për probleme të tjera. Burime serioze thonë se Europol ka sjellë të dhëna në prokurori fiks për Taulant Ballën. Kjo e thirrjes së tij në SPAK është 100 për qind e vërtetë. Jo një, por disa herë. Paçka se kur dilte, thoshte se më kanë thirrur për Saliun, por atë e kishin thirrur për lidhjet e tij me krimin”.
Kurse kjo e dorëzimit të dokumenteve nga Europol, të cilët e kanë evidentuar dhe regjistruar sipas këtij burimi, kjo natyrisht mbetet në diskrecionin e SPAK. Por mesa shoh unë, gjersa atë Edi Rama e emëroi, e emëroi për t’i dhënë një dopio imunitet, si deputet dhe tani si ministër i Brendshëm”, tha Berisha.
Më tej, ai tha se emërimi i Ballës është dëshmi për sundimin e fuqinë e krimit në këtë vend dhe në këtë shtet.
“Ai mund të ushtrojë mbi prokurorët presione nga më të ndryshme, ndonëse ai është personi pas Edi Ramës që ka të kompromentuar në atë institucion më shumë se kushdo”, tha Berisha. (A2 Televizion)