“Folëm para 5 minutash”, avokatët nuk dinë ku ndodhet Ahmetaj: Kërkesat e SPAK për show

Nga A2 CNN
12 Korrik 2023, 19:31 | Politikë
“Folëm para 5 minutash”, avokatët nuk dinë ku ndodhet

Në mbledhjen e dytë të Këshillit të Mandateve, PS dhe PD ranë dakord që Kuvendi të çelë të hënën dritën jeshile për arrestimin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, duke pranuar heqjen e imunitetit të deputetit.

Në seancën e orës 17:00 që do të zhvillohet në nisje të javës së re, Kuvendi do të votojë për të autorizuar SPAK që të kryejë fillimisht kontrollin e banesës së Ahmetajt dhe më pas të arrestojë ish numrin dy të qeverisë, i cili akuzohet për 3 vepra penale.

Lidhur me vendimet e mbledhjes që zgjati për 3 orë, folën për mediat edhe dy përfaqësuesit ligjor të Ahmetajt, Ardian Visha dhe Henrik Ligori.

Të pyetur nga gazetarët nëse Ahmetaj do të përbvallet me drejtësinë, Visha u përgjigj duke thënë: “Zoti Ahmetaj ka filluar të përballet me drejtësinë që në ngjizje të këtij kazusi nga SPAK. Është e drejta dhe detyra e tij të vendosë nëse do vijë apo jo”.

Më pas Visha u shpreh se si pala mbrojtëse ata kanë mbajtur “një qëndrim krejtësisht të kundërt nga ajo që kërkon Prokuroria”.

Disa ishin shtyllat e qëndrimt tonë. Na u dha kohë 24 orë për të parë 320 faqe material të Prokurorisë. Ne nuk vërejtëm kërkund në relacion asnjë rresht që të justifikonte, interpretonte, analizonte pse Prokuroria ka nevojë për një kontroll banese të deputetit dhe vendosje të masës së sigurisë në përfundim të hetimeve. Ç’vlerë ka kontrolli i banesës përveçse një show, që të përdhosësh banesën e një deputeti të Kuvendit me 5 furgonë me policë. Eshtë thjesht një show për të kënaqur epshet e disa njerëzve se si dhunohet e drejta e një deputeti. Për masën e sigurisë nuk kishte asnjë arsye pse kërkohet kjo masë ekstreme. Jemi kundër arrestimit të tij”, shtoi avokati.

Ndërkohë, përfaqësuesi tjetër ligjor, Henrik Ligori zbuloi se 5 minuta para prononcimit për gazetarët ka komunikuar me Ahmetajn.

Në lidhje me aludimet e opozitës se ish-zv/kryeministri ndodhet në Kanada, Ligori tha: “Nuk kemi informacion të tillë”.

Ai mohoi akuzat për korrupsion dhe fshehje pasurie, ndërsa konfirmoi se Ahmetaj është larguar jashtë shtetit për shkak të problemeve personale.

Janë të gjitha hamëndësime, mos i përsërisni sikur janë fakte të vërteta. Nuk ka asgjë të provuar. Nuk ka asnjë fshehje të pasurisë. Nuk ka asnjë akt korruptiv në lidhje me inceneratorin e Elbasanit, Fierit apo Tiranës. Është larguar sepse ka probleme personale. Kemi komunikuar para 5 minutash.  S’ka as një pagesë nga pronarët e inceneratorëve. Marrëdhënia shoqërore nuk është vepër penale. Ju niseni nga prezumimi me teori inkludimi”, tha Ligori. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos