10 të fortët e Tiranës! Emrat që bënë bujë pas viteve '90, histori e pamje ekskluzive

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2026, 21:15 | Kronikë

Në fillim të viteve ’90, Shqipëria po dilte nga një prej periudhave më të izoluara të historisë së saj. Regjimi komunist kishte rënë, kufijtë po hapeshin dhe shoqëria po përballej me ndryshime të mëdha politike, ekonomike dhe sociale.

Liria e sapofituar u shoqërua edhe me pasiguri. Institucionet ishin të brishta, varfëria ishte e përhapur dhe funksionimi I institucioneve po kalonte një periudhë të vështirë.

Në këtë realitet, në rrugët e Tiranës nisën të shfaqeshin të rinj që kërkonin të impononin autoritetin e tyre.

Nuk ishin domosdoshmërisht pjesë e strukturave të mirëfillta të krimit të organizuar që do të shfaqeshin vite më vonë. Në fillim, gjithçka lidhej me lagjen, shoqërinë, reputacionin dhe forcën fizike.

Një konflikt banal mund të kthehej në një përplasje mes grupeve. Një fyerje mund të kërkonte hakmarrje. Dhe një emër i njohur në lagje mund të kthehej brenda pak kohësh në një personazh që përmendej në të gjithë kryeqytetin.

Një motor, një makinë apo një grup shokësh që të shoqëronin kudo, shpesh mjaftonin për të krijuar imazhin e të fortit.

Por, me kalimin e kohës, këto rivalitete do të merrnin një tjetër përmasë. Disa prej këtyre personazheve do të përfshiheshin në ngjarje të rënda kriminale, ndërsa konfliktet mes tyre do të linin pas viktima dhe familje të shkatërruara.

Në këtë histori, një nga emrat që u bë i njohur që në fillimet e tranzicionit ishte Gazmend Muça.

GAZ MUÇA, I FORTI I “RRUGËS BARDHYL”

I njohur gjerësisht si Gaz Muça, ishte një prej personazheve më të përfolur të Tiranës në fillim të viteve ’90. , I cilësuar si I pari gangster shqiptar pas tranzicionit. Ai vepronte në zonën e rrugës Bardhyl, Pazarit të Ri dhe Xhamllikut. Fama iu rrit ndjeshëm në gusht të vitit 1991, kur ai udhëtoi drejt Italisë me anijen “Vlora”, së bashku me mijëra shqiptarë të tjerë që kërkonin një jetë më të mirë. Ngjarjet e dhunshme dhe kaotike që pasuan mbërritjen e emigrantëve në Bari, përfshirë ato në stadiumin “Victoria”, u pasqyruan gjerësisht nga mediat italiane. Ai organizoi revoltën e shqiptarëve të arratisur nga stadiumi i Barit. Episodet që lidheshin me Gaz Muçën dhe grupin e tij do të bëheshin pjesë e reputacionit të tij në Shqipëri.

Pas kthimit në atdhe, emri i tij u përmend edhe në Parlament nga deputeti Azem Hajdari, në kontekstin e shqetësimeve për sigurinë dhe veprimtarinë e personazheve të njohur të rrugës. Kështu, një emër që deri atëherë lidhej kryesisht me një zonë të Tiranës, kapwrceu kufirin e kryeqytetit, e po ashtu dhe konfliktet mund të merrnin përmasa të pakontrollueshme.

Më 7 prill 1992, Gazmend Muça u vra në zonën e Xhamllikut, në moshën 23-vjeçare. Sipas të dhënave të publikuara për çështjen gjyqësore, ai u qëllua me armë automatike nga Naim Zyberi. Ky i fundit u arrestua më vonë dhe u dënua për vrasjen.

Ekzekutimi nuk shënoi vetëm fundin e jetës së një prej emrave më të njohur të asaj kohe. Ajo do të bëhej edhe pikënisja e një zinxhiri hakmarrjesh që do të vazhdonte për vite me radhë. Dhe në këtë histori, një rol të rëndësishëm do të kishte edhe vëllai i tij i vogël, Taulant Muça.

TAULANT MUÇA DHE CIKLI I HAKMARRJES

Taulant Muça njihet në kronikën e zezë shqiptare si vëllai i vogël i Gaz Muçës. Në mars të vitit 1992, një konflikt për një motor në zonën pranë ish-restorant Durrësit u kthye në një episod që do të lidhej më vonë me ngjarjet tragjike të kryeqytetit. Sipas rrëfimeve të publikuara, Taulant Muça i mori me forcë motorin një të riu. Në ngjarje ishte i pranishëm edhe Franc Konomi, i lidhur me grupin e Naim Zyberit.

Konomi e rrahu Taulant Muçën dhe e paralajmëroi të mos kthehej më atë zonë. Ky incident krijoi frikë tek grupi i Naim Zyberit se Taulanti do t'i tregonte vëllait të tij, Gaz Muçës. Kjo çoi në vrasjen e vetë Gazmend Muçës më 7 prill 1992, duke hapur një seri hakmarrjesh dhe përplasjesh të përgjakshme mes grupeve të Tiranës në vitet '90. Pas kwsaj Taulant Muça qëlloi mbi dy persona të lidhur me grupin rival, duke ekzekutuar Fatos Ketën (vëllain e Besnik Ketës, i cili ishte pjesë e rrethit të Naim Zyberit).

Cikli i hakmarrjes nuk u ndal me aq. Më 31 korrik 1998, teksa po kthehej nga plazhi pranë shtëpisë së tij afër Spitalit të Fëmijëve në Tiranë, Taulant Muça ra në një pritë të organizuar. Ndaj tij u shkrehën plot 76 plumba, duke e lënë të vdekur në vend.

Për këtë vrasje, Drejtësia Shqiptare akuzoi më vonë Besnik Ketën dhe Dorian Stafën. Prokuroria vërtetoi se Besnik Keta e ekzekutoi Taulant Muçën për t'u hakmarrë për vrasjen e vëllait të tij, Fatosit, duke mbyllur kështu një tjetër kapitull tragjik të kësaj historie.

Kështu, një konflikt që kishte nisur me përplasje mes të rinjve u shndërrua në një histori shumëvjeçare vrasjesh. Një vrasje solli një tjetër. Një hakmarrje krijoi armiqësi të reja. Dhe emrat e përfshirë në këto ngjarje do të vazhdonin të shfaqeshin në kronikën e zezë shqiptare. Në qendër të një prej grupeve të njohura të asaj periudhe ishte Naim Zyberi, personazhi që do të lidhej drejtpërdrejt me vrasjen e Gaz Muçës.

NAIM ZYBERI, I NJOHUR SI KUKSIANI

I njohur edhe si “Kuksiani”, ishte një nga emrat më të përfolur të botës së krimit në Tiranë gjatë fillimit dhe mesit të viteve ’90. Ai ishte kreu i grupit që njihej si banda e “Trenit të Vjetër” ose e “Restorant Durrësit”. Në këtë rreth përmendeshin edhe emra si Franc Konomi dhe pjesëtarë të familjeve Keta.

Përplasjet me grupet e tjera të kryeqytetit do ta bënin këtë zonë pjesë të një prej historive më të njohura të dhunës së viteve të para të tranzicionit. Ai njihet si njeriu që ekzekutoi Gaz Muçën, krim për të cilin u burgos. Gjatë kohës që vuante dënimin, fitoi një lloj statusi të veçantë pasi mori përsipër mbrojtjen e liderëve politikë të burgosur në atë kohë, si Fatos Nano dhe Ramiz Alia. Vite më vonë, ish-kryeministri Nano dëshmoi publikisht në televizione për trimërinë e Zyberit dhe respektin që ai gëzonte brenda mureve të burgut.

Gjatë trazirave të vitit 1997 dhe hapjes masive të burgjeve në Shqipëri, Zyberi arriti të arratisej dhe të rifitonte lirinë ndwrsa u përfshi në konflikte gjobëvënieje. Më 2 korrik 1997, ai shkoi për të kërkuar Fatmir Ramën (Mirin e Xhikes). Te dera doli Artur Grori, të cilin Zyberi dhe shoqëruesit e tij e qëlluan për vdekje me plumb në zemër. Kjo vrasje do të kishte pasoja të menjëhershme. Vëllai i Arturit, Arben Grori, do të niste një histori hakmarrjeje që do të vazhdonte përtej kufijve të Shqipërisë.

ARTUR DHE ARBEN GRORI, HAKMARRJA QË KALOI KUFIRIN

Në korrik të vitit 1997, vrasja e Artur Grorit në Tiranë shënoi një tjetër pikë kthese në përplasjet mes personazheve të njohur të asaj kohe. Autori i drejtpërdrejtë i vrasjes Naim Zyberi pas ngjarjes u largua drejt Italisë, por u ndoq këmba-këmbës nga Arben Grori dhe bashkëpunëtori i tij, Gerd Gjenerali (Gjinarari). Atentati i parë iu bë në një bar në Torino, ku Zyberi mbeti i plagosur rëndë dhe u dërgua për mjekim në spitalin "San Paolo" në Milano. Por edhe spitali nuk do të ishte një vend i sigurt për të. Më 6 gusht 1997, Arben Grori dhe Gerd Gjenerali u futën në spital duke u prezantua si miq të Naim Zyberit. Ata mbanin një pistoletë me silenciator dhe e ekzekutuan Zyberin në krevatin e tij të spitalit.

Arben Grori u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit në Milano, Itali. Prej vitit 2019, Grori ka kërkuar vazhdimisht rigjykimin dhe rishikimin e këtij vendimi (duke pretenduar dënim me 25 vjet burg në vend të burgimit të përjetshëm përmes ndryshimeve ligjore dhe vendimeve të Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut), duke kaluar çështjen në disa shkallë gjyqësore dhe duke u shoqëruar me përplasje procedurale, ndryshime gjyqtarësh dhe vendime të ndryshme nga gjykatat e Tiranës, Elbasanit dhe më gjerë. Kjo histori përmbledh në mënyrë tragjike logjikën e hakmarrjes që karakterizoi një pjesë të përplasjeve të asaj periudhe. Një vrasje në Tiranë u pasua nga një largim jashtë vendit. Largimi u pasua nga një atentat. Dhe atentati përfundoi me një tjetër vrasje, këtë herë brenda një spitali italian.

Por ndërsa disa konflikte i kapërcyen kufijtë e Shqipërisë, të tjerë vazhduan të zhvilloheshin në rrugët e vetë Tiranës. Një prej emrave që mbeti i lidhur me fillimet e kësaj historie ishte Franc Konomi.

FRANC KONOMI, “MOHIKANI I FUNDIT” I TË FORTËVE

Franc Konomi ishte një nga figurat e njohura të botës së krimit dhe përplasjeve të bandave në Tiranë gjatë viteve '90 deri 2000, i njohur shpesh si "i forti” i Rrugës Bardhyl" ose i zonës së trenit. Konomi ishte pjesë e grupeve të të rinjve që diktonin rregullat në kryeqytet pas rënies së regjimit komunist.

Emri I tij lidhej me ngjarje të hershme, përfshirë vrasjen e Gaz Muçës në vitin 1992. Megjithatë, roli i Konomit në atë ngjarje është përshkruar ndryshe në raportime të ndryshme.

Për shumë vite, mbeti një nga emrat e njohur të kësaj periudhe, kur rivalitetet mes grupeve të Tiranës ishin ende të lidhura ngushtë me lagjet dhe rrethet shoqërore. Por ngjarja që do t'i jepte fund jetës së tij ndodhi shumë më vonë. Më 8 korrik 2010, rreth orës 11:20, Franc Konomi u vra me 10 plumba pranë "Pazarit të Ri" ("Ushtari i panjohur") në Tiranë. U qëllua për vdekje teksa lëvizte me një makinë Mercedes-Benz të zezë. Atentati u krye nga dy persona të maskuar që udhëtonin me një motor me targa greke. Prokuroria e Tiranës hetoi disa pista, mes të cilave hakmarrja e vjetër (vrasja e Gaz Muçës) dhe lidhjet e mundshme me trafikun e ndërkombëtar të drogës.

Vrasja e Konomit, gati dy dekada pas ngjarjeve të para të viteve ’90, tregoi se disa nga konfliktet e asaj periudhe kishin lënë pas një histori të gjatë dhe të ndërlikuar. Por jo të gjithë personazhet e kësaj historie e ndërtuan ndikimin e tyre në të njëjtën mënyrë. Në vitin 1997, kur Shqipëria u përfshi nga trazira të rënda, një tjetër emër do të bëhej simbol i autoritetit lokal: Nehat Kulla, i njohur si Gjenerali.

NEHAT KULLA, GJENERALI

Viti 1997 ishte një nga periudhat më të vështira të historisë së Shqipërisë pas rënies së komunizmit. Kriza e skemave piramidale, trazirat dhe shpërbërja e rendit publik në shumë zona krijuan një situatë ku autoriteti i shtetit u dobësua rëndë. Në këtë realitet u bë i njohur Nehat Kulla, personazh i cili cilësohej si i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997. Ai kishte grabitur dhe lëvizte me një kamionçinë ushtarake tip Shevrolet me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake.

Banda e tij u krijua gjatë trazirave të këtij viti. Në këtë situatë ai së bashku me familjarë e miq të tij mban të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve. Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij.

Para se të  merrtë famën, në dhjetor të vitit 1996 ai dënohet me 11 vjet burg për vrasjen e Petrit Moriçenit dhe vëllezërve Neziri, njëri prej të cilëve me detyrë polic pranë komisariatit 4 në Tiranë. Në burg ai u njoh edhe me Fatos Nanon, asokohe kundërshtarët politikë publikuan një foto të tij në burg me Nehat Kullën.  Në vitin 1997 arratiset nga burgu. Por, qetësia e Kullës do të prishej në vitin 1999, kur një tjetër personazh i njohur do të arrinte t’ia vinte atij prangat. I paprekshmi Kulla arrestohet në Elbasan, ndërsa udhëtonte me një grup miqsh në makinën e tij “Shevrolet”. Patrulla e policisë kërkoi të ndalont gjeneralin, sapo ai hyn në territorin ku drejtonte koloneli i hekurt, Edmond Koseni. Kulla nuk pranoi t'i ndalonte postobllokut të policisë, por Koseni arriti ta ndalonte.

Pas lirimit 2 vite më vonë, dukej se gjenerali tashmë 50-vjeçar do të rikthehej në jetën e qetë pranë familjes. Por, vetëm pak muaj më pas në vitin 2001, ai rikthehet në qeli nën akuzën e rrahjes së një grupi gazetarësh dhe dënohet me 5 vjet burg, por lirohet sërish për sjellje të mirë. Në vitin 2005, pas ardhjes në pushtet të të djathtëve, ai riarrestohet dhe dënohet me 20 vjet burg për vrasjen e Halim Gjuzit në vitin 1998 në Golem, shoferi i ish-Ministrit të Brendshëm Halit Shamata.

Nehat Kulla u lirua nga burgu në korrik të vitit 2019. Një vit më vonë, në qershor 2020, ai ndërroi jetë, pas problemeve shëndetësore që pasuan një ndërhyrje kirurgjikale dhe pasi ishte prekur nga COVID-19.

Historia e tij mbetet një prej portreteve më karakteristike të kaosit të vitit 1997, kur dobësimi i institucioneve krijoi hapësira për individë që pretendonin të ushtronin autoritet në vend të tyre. Por ndërsa Gjenerali u bë i njohur në një periudhë të shënuar nga rënia e rendit publik, në pjesë të tjera të Tiranës po shfaqeshin grupe të lidhura me veprimtari kriminale shumë më të rënda.

Një prej emrave të përmendur në këtë kontekst ishte Denis Gina.

DENIS GINA, I forti I “Rrugës së Kavajës”

Denis Gina ishte një nga emrat e njohur të kronikës së zezë në Tiranë gjatë viteve ’90. Ai është cilësuar si një prej krerëve apo eksponentëve kryesorë të grupit famëkeq të "Rrugës së Kavajës" dhe i përfshirë në trafikun e kokainës. Në fund të viteve ’90, përplasjet mes grupeve kriminale kishin marrë një tjetër përmasë. Konfliktet nuk kufizoheshin më vetëm në përballje fizike apo në rivalitete të lagjeve.

Në disa raste, atentatet kryheshin me armë të rënda dhe përfshinin automjete të blinduara. Një nga ngjarjet më të rënda të kësaj periudhe ndodhi më 22 qershor 1999, në zonën e Alliasit, në një vend të njohur si “Fusha e Druve”. Denis Gina 27 vjeç dhe miku i tij, Median Shehu, u vranë gjatë një atentati teksa udhëtonin me një automjet të blinduar. Sipas raportimeve të kohës, ndaj automjetit u përdor një armë antitank.

Për ngjarjen u akuzuan persona të lidhur me një grup rival, ndër ta Genc Ferhati dhe Ilir Bardhi. Ferhati u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa Bardhi u vra me snajper në vitin 2000, gjatë kohës që ndodhej në burg.

Atentati në Allias ishte tregues i përshkallëzimit të dhunës në fund të dekadës. Në një qytet që ende po përpiqej të konsolidonte institucionet dhe rendin publik, përdorimi i armëve të rënda në konflikte kriminale e bënte sigurinë një shqetësim të përditshëm. Në këtë atmosferë, emra të ndryshëm do të bëheshin pjesë e historive që lidheshin me drogën, gjobëvënien dhe rivalitetet mes grupeve.

Një nga personazhet më të përfolur të fillimit të viteve 2000 ishte Fatmir Rama, i njohur si Miri i Xhikes.

FATMIR RAMA “MIRI I XHIKES”

Fatmir Rama, i njohur si Miri i Xhikes, ishte një nga figurat më të njohura dhe të fuqishme të botës së krimit në Shqipëri pas rwnies sw komunizmit dhe fillimit të viteve 2000. Në vitin 1990 ai largohet për emigrim bashkë me Arben dhe Artur Grorin, për t'u kthyer në 1995 dhe konsideruar si “të fortët e Rrugës së Elbasanit” me një “biznes” dhe rrjet të konsoliduar droge në Shqiperi dhe jo vetëm.

“Miri i Xhikes” asokohe arriti kulmin, duke u bërë njw ndwr njerwzit mw tw fuqishëm në Shqipëri. Nga biznesi i tij i drogës ka patur shumë legjenda dhe thuhej se numëroheshin në vit 80 milion euro fitime neto. Por më 29 mars 2003, historia e tij përfundoi në një atentat të rëndë. Ngjarja ndodhi në kompleksin “Kartodrom 2000”, në Lundër të Tiranës.

Persona të maskuar hapën zjarr me armë automatike. Nga atentati mbetën të vrarë Fatmir Rama “Miri i Xhikes”, kamarieri Julian Durishti dhe Kristaq Cami, ndërsa Flamur Rrapaj u plagos. Për vrasjen u dënua me 20 vjet burg Lavdërim Tufa, i identifikuar përmes provave të ADN-së në vendngjarje, i cili më pas u lirua dhe u arrestua sërish vite më vonë për vepra të tjera penale. Pavarësisht arrestimeve dhe të akuzuarve apo të dyshuarve, vrasja e tij asnjëherë nuk u zbardh plotësisht. Urdhëruesit as që bëhet fjalë që të identifikoheshin.

Vrasja në Lundër ishte një nga ngjarjet që tronditën kryeqytetin në fillim të viteve 2000. Ajo shënoi edhe një tjetër moment në një histori ku shumë prej personazheve më të njohur të dekadës së mëparshme kishin përfunduar të vrarë. Por historia e të fortëve të Tiranës nuk kufizohej vetëm te grupet më të mëdha dhe atentatet e organizuara. Në disa raste, një konflikt i çastit, i nisur për një arsye fare të dobëta, mjaftonte për të përfunduar në tragjedi.

Një ngjarje e tillë ishte ajo që i mori jetën Ilir Hoxhës, të njohur si Lir Mzezi.

ILIR HOXHA “LIR MZEZI”, I FORTI I LAPRAKËS

I njohur më gjerësisht në jetën e përditshme dhe në rrethin e tij shoqëror si Lir Mzezi ka qenë një personazh i lidhur me ngjarjet e kryeqytetit në fund të viteve '90. Ai njihej si një prej djemve "të fortëve" të zonës së Laprakës në Tiranë. Ai spikati me fizikun e tij shtatlartë dhe muskuloz. Lir Mzezi emigroi në Gjermani, ku atje qëndroi në burg. Pas emigrimit ai u kthye në Shqipëri. Jeta e tij u ndërpre tragjikisht më 11 dhjetor 1999.

Pranë një lavazhi makinash në Laprakë, Ilir Hoxha u përfshi në një përplasje me Shpend Elezin. Lir Mzezi u përball me Shpend Elezin sepse i bëri pis makinën që sapo kishte larë. Të dy qëlluan njëkohësisht njërit tjetrin me armë si sherifa. Elezi ndërroi jetë në vend, ndërsa Mzezi si pasojë e plagëve të marra dhe pasi kaloi natën në gjendje kome në Spitalin Ushtarak, Ilir Hoxha (Lir Mzezi) ndërroi jetë mëngjesin e datës 11 dhjetor 1999.

Të afërm të Mzezit thonë se në varrimin e tij nuk ishte parë asnjëherë aq pjesëmarrje e madhe. Historia e Lir Mzezit është një kujtesë e hidhur se dhuna e asaj periudhe nuk lidhej gjithmonë me rivalitete të mëdha kriminale apo me konflikte që zgjasnin prej vitesh. Ndonjëherë, mjaftonte një debat i zakonshëm për të kaluar në përdorimin e armëve.

Dhe në një shoqëri ku armët ishin të pranishme dhe kontrolli institucional përballej me vështirësi, pasojat mund të ishin fatale. Një tjetër histori e përgjakshme e fundit të viteve ’90 ishte ajo e Shkëlqim Xhabaftit, i njohur si i forti i Selitës.

SHKËLQIM XHABAFTI, I FORTI I SELITËS

Shkëlqim Xhabafti ishte një nga emrat e njohur në Tiranë gjatë viteve ’90. Ai njihej si i forti i Selitës, një zonë e kryeqytetit ku rivalitetet mes grupeve të ndryshme do të shoqëroheshin me disa prej ngjarjeve më të rënda të asaj kohe.

Çim Xhabafti u vra në vitin 1998 kur ishte vetëm 30 vjeç. Për ekzekutimin e tij u akuzuan anëtarët e bandës së Yzberishtit, vëllezërit Nazmi dhe Ilir Avdillari, si dhe Fatmir Avdillari i njohur si "Xubi i Yzberishtit".

Këta i kishin grabitur makinën një biznesmeni të huaj dhe ky i fundit i kërkon ndihmë Xhabaftit. Kapoja i Selitës, së bashku me një shok të tij polic, me makinë policie shkojnë te rivalët, për të biseduar se si mund t'ia kthenin mjetin. Negociatat nuk përfunduan siç pritej. Në bisedë e sipër, gjakrat u nxehën me vëllezërit Nazmi e Ilir Avdillari, qëlluan për vdekje Shkëlqim Xhabaftin dhe mikun e tij polic.

Tw dy vwllezwrit janë akuzuar se më 27 janar të vitit 98 kanë vrarë edhe biznesmenin italian Stefano Rossi, pronari i një fabrike këpucësh në Kombinat. Rossi sapo kishte tërhequr 30 milionë lireta nga Banka Italo Shqiptare dhe u ekzekutua 100 metër larg fabrikës.

Këto ngjarje tregojnë se në fund të viteve ’90, konfliktet në Tiranë nuk përfshinin vetëm përballje mes të rinjve që kërkonin të impononin emrin e tyre në lagje.

Në disa raste, ato lidheshin me grabitje, interesa ekonomike, kërcënime dhe veprimtari të tjera kriminale.

Por, pavarësisht dallimeve mes grupeve dhe personazheve, një element mbeti i përbashkët, përdorimi i armëve si mënyrë për të zgjidhur konfliktet.

NJË EPOKË QË LA PAS GJURMË

Por këto histori nuk duhen parë si legjenda të njerëzve që diktonin rregullat e qytetit. Pas nofkave dhe reputacionit, kishte jetë të ndërprera, familje të goditura dhe një shoqëri që përpiqej të gjente rrugën drejt normalitetit.

Shumë prej ngjarjeve të kësaj periudhe vazhdojnë të përmenden edhe sot. Në fund, ajo që mbetet nuk është vetëm historia e personazheve që u bënë të njohur në rrugët e Tiranës. Është edhe historia e një periudhe kur liria, pasiguria, dobësia e institucioneve dhe dhuna u ndërthurën në mënyra që lanë gjurmë të thella.

Sepse emrat mund të harrohen… por pasojat e asaj që ndodhi nuk harrohen ashtu si dhe jetwt e humbura nuk kthehen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos