
Besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe në mbarë botën festojnë sot Krishtlindjen. Në Katedralen Ortodokse të Tiranës, “Ngjallja e Krishtit”, po mbahet mesha e Krishtlindjes. Edhe këtë vit, numri i besimtarëve që marrin pjesë në këtë meshë nuk është i shumtë për shkak të pandemisë së koronavirusit, duke respektuar distancimin social.
Në mesnatë është mbajtur edhe mesha e besimtarëve katolikë në katedralen Shën Pali në Tiranë.
Nuk ka munguar edhe këtë vit mesazhi i Mons. Dom Gjergj Meta, Ipeshkëv i Rrëshenit, për Krishtlindje. Krishtlindja na jep një mesazh shumë të bukur, thotë ai, kurajë dhe shpresë.
“Dëshiroj t’i uroj Krishtlindjen secilit nga ju. Krishtlindja është hyrja e Zotit në historinë e botës, në historinë e njerëzimit, në historinë e secilit prej nesh. Zoti hyn në historinë e atyre njerëzve apo situatave që janë të rënduara nga jeta. Krishtlindja na jep një mesazh shumë të bukur: Kurajë dhe shpresë. Zoti është me ne, sidomos në momentet më të errëta. Ju uroj të gjithëve shumë dritë në këto kohë Krishtlindjes. Zoti ju bekoftë! Gëzuar Krishtlindjet!”.
Mbrëmjen e së premtes, përmes një postimi në rrjetet sociale, presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë shqiptarët dhe në veçanti besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjesh.
Për presidentin Meta, kjo festë ndan mesazhin e përjetshëm të dashurisë dhe na bën të zgjasim dorën me përulësi atyre që kanë nevojë për përkrahje dhe mbështetje materiale dhe shpirtërore.
A2 CNN uron besimtarët gëzuar Krishtlindjen! (A2 Televizion)