Beteja për Elbasanin, garë e fortë Boçi-Llatja për qytetin e trazuar

Nga A2 CNN
6 Maj 2023, 20:10 | Politikë

Elbasani është një nga 3 bashkitë kryesore në vend, rezultati i së cilës tregon shumë për trendin e 14 majit. Ky qytet qeveriset prej 16 vjetësh nga socialistët dhe Gledian Llatja garon për një mandat tjetër, ndërsa Luçiano Boçi, ish-deputet, drejtues i PD-së prej vitesh atje, është kandidat i koalicionit Bashkë Fitojmë.

Tensionet në Elbasan kanë qenë të lartë në zgjedhjet e mëparshme, madje janë përdorur edhe armët që kanë sjellë edhe humbje jete. Por si do të jetë këtë herë? A do t’i besojnë qytetarët Llatjes një mandat të dytë, apo do të votojnë Boçin për ndryshim?

Gara e fortë

Një nga bashkitë më të mëdha në vend, me 171 700 votues, përfshi edhe njësitë administrative, dhe me rreth 108 mijë votues vetëm në qytet, Elbasani ka angazhuar maksimalisht Partinë Socialiste për të marrë mandatin e radhës me kryetarin aktual të bashkisë, Gledian Llatja, por edhe koalicionin “Bashkë fitojmë” të opozitës për të bërë kthesën e madhe pas16 vitesh në Elbasan, me kandidatin Luçiano Boçi.

Elbasani në shifra

E ndërsa gara për zgjedhjet e 14 majit ka nisur, qytetarët elbasanas renditen ndër personat me të ardhura ekonomike nën mesataren e nevojshme, ku zona industriale e ish-kombinatit metalurgjik shikohet edhe si një mundësi punësimi, por edhe si faktor që ndot çdo ditë në mënyrë të rrezikshme mijëra banorë.

Institucionet lokale shtetërore shikohen si mundësitë kryesore për punësimin e banorëve të Elbasanit, pasi sipërmarrja e biznesit është ende në nivele të ulëta. Ndërsa rendi dhe siguria në prag zgjedhjesh me akuza të ndërsjella për përdorimin e personave me precedentë penalë kanë qenë bashkëshoqëruese e fushatave elektorale.

https://youtu.be/1tzZ19wvBXU

Çfarë presin qytetarët?

A i kanë ndjerë ato zhvillimet që reklamohen nga mazhoranca, apo shpresojnë tek kthesa që opozita premton si zgjidhje? “Këtu në Elbasan është skandal fare. Punë nuk ka, lekë nuk ka…”, thotë një qytetare. “Asgjë nuk presim nga kandidatët. Të dy i njohim. Kur nuk pritëm 32 vite, çfarë të presim tani? Këta mundohen për vete, jo për ne”, thonë dy të moshuar. Por, ajo që gjithë qytetarët elbasanas e urojnë njëzëri, është që zgjedhjet e afërta të mos kenë atmosferën dhe ngjarjet e rënda kriminale që patën zgjedhjet parlamentare të prillit 2021 në këtë qytet.

https://youtu.be/m7agbNiiuu4

Si e gjykon Llatja mandatin e tij të parë?

Kryebashkiaku në detyrë, Gledian Llatja, thotë në një intervistë ekskluzive në A2 CNN se “Elbasani 2030” është programi i madh, që do të transformojë qytetin. “Do të kemi qytet të stabilizuar ekonomikisht, me zgjerimin e korridorit 8 dhe spostimin e hekurudhës. Janë projekte që duan kohën e vet dhe që kulmojnë në vitin 2030. Është vizioni ynë për të pasur një qytet me standarde evropiane dhe shërbime evropiane”, u shpreh ai. “Kemi pasur sfida sapo nisëm mandatin, pasi u përballëm me tërmetin dhe pandeminë, administruam shumë mirë të ardhurat tona e më pas nisëm me investimet. Kemi shtuar sipërfaqet e gjelbra, kemi vazhduar me rehabilitimin e shkollave dhe terreneve sportive. Kemi shlyer borxhet e vjetra që ka pasur bashkia. Kemi treguar që jemi seriozë në investimet tona dhe sidomos me bizneset private. Kemi mbështetur shumë edhe jetën kulturore dhe sportin në qytet”, shtoi Llatja.

https://youtu.be/nDFkY45hLnM

Në lidhje me inceneratorin e qytetit, për të cilin SPAK ka dërguar në gjykatë disa persona, Llatja tha se impianti është funksional dhe se pas përfundimit të procesit, ai do t’u shërbejë qytetarëve. “Elbasani nuk e harron situatën para 6-7 vitesh, kur mbetjet trajtoheshin buzë Shkumbinit dhe digjeshin, kur në Elbasan nuk hapje dot dritaret. Sot, kemi një impiant trajtimi të mbetjeve, i cili menaxhohet nga të 7 bashkitë e Qarkut Elbasan. Është demonizuar shumë i gjithë impianti. Kushdo që flet për të, demonizohet automatikisht, ndërkohë që neve në Elbasan nuk e harrojmë se si trajtoheshin mbetjet më parë. Mund të ketë pasur çfarëdolloj problematike, por është drejtësia ajo që po merret tani”, tha Llatja.

Çfarë premton Boçi se do të bëjë ndryshe?

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Elbasanin, Luçiano Boçi, theksoi se synimi i tij është që ta shkëpusë bashkinë nga roli i saj tradicional. I pyetur se çfarë do të bëjë ndryshe për të bindur elektoratin gri, Boçi solli në vëmendje faktin që në 16 vite qyteti drejtohet nga e majta, dhe sipas tij qytetarët duhet ta kenë të qartë tashmë se çfarë nuk shkon. “Alternativa ime përfshin ndërhyrje gjeneralë por edhe kapilare. Do marr iniciativa që ta bëjnë atë të riun të qëndrojë, të arsimohet ose të punësohet”, tha Boçi në një intervistë për A2 CNN. Por cili do të jetë vendimi i parë që do të marrë Boçi nëse fiton bashkinë? Ai shpjegoi se do të falë çdo penalitet apo gjobëvënie nga bashkia Elbasan si dhe do të ndërhyjë për të rregulluar marrëdhënien mes “biznesit agresiv dhe mjedisit që duhet të ruhet se është pasuria jonë e përbashkët”.

https://youtu.be/FaPgyKq9yxc

Përballjet e tjera në qark

Vota, fitorja dhe pushteti po kërkohen me ngulm edhe në bashkitë më të vogla në qarkun e Elbasanit, edhe pse shpopullimi, investimet e pakta, çmimet e larta dhe të ardhurat e pamjaftueshme janë sfida që i vënë kandidatët përballë pesimizmit të qytetarëve.

Në bashkinë e Cërrikut, është kryetari aktual Andis Salla, qëkërkon të marrë dhe një mandat të dytë katërvjeçar përballë Servet Duzhës, ish-kryetar i Partisë Demokratike për degën e Cërrikut për dy mandate. Bashkia e Cërrikut është rozë prej katër vitesh.

Në Prrenjas, kandidate për kreun e Bashkisë është e besuara e Partisë së Lirisë në koalicionin “Bashkë Fitojmë”, ish-deputetja Suzana Topi. Përballë saj është Nuri Belba që kërkon të rikonfirmohet në karrigen e kryetarit për një mandat të dytë.

Gara në Peqin zhvillohet mes ish-kryetarit të PD të qytetit, Mustafa Pashjas nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Bukurosh Maçit, si i besuari i Partisë Socialiste. Te dy kandidatët kërkojnë për herë të parë karrigen e kryebashkiakut.

Arif Tafani drejton Bashkinë e Belshit prej 8 vitesh dhe po iu kërkon qytetarëve që t’i besojnë një mandat të tretë. Përballë ka Bedri Qypin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, i cili drejton degën e PD në Belsh që prej vitit 2016.

Në Gramsh përballen ekonomisti Hasim Çekrezi, nga koalicioni Bashkë Fitojmë, dhe ish deputeti Besian Ajazi i Partisë Socialiste. PS-ja drejton Gramshin të paktën që prej vitit 2015, ndërsa Ajazi lufton që të ulet për herë në parë në karrigen e kryetarit.

Bashkia e Librazhdit drejtohet prej 8 vitesh nga Kastriot Gurra i Partisë Socialiste, ndërsa për këto zgjedhje vendore, ethet e garës do i përjetojë Mariglen Disha, i cili kërkon mandatin e parë për vete, me përgjegjësinë që Librazhdi të mbetet rozë. Përballë ka Shefki Çotën që kandidon nën logon e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos