Beteja për Gjirokastrën, sfidat për zhvillimin e qytetit të gurtë

Nga A2 CNN
8 Maj 2023, 12:06 | Politikë

Gjirokastra në këto 30 vite është drejtuar nga të majtë dhe nga të djathtë. Kryebashkiaku më jetëgjatë ka qenë socialisti Flamur Bime me 3 mandate. Por qyteti i gurtë për herë të parë nxori edhe një kryebashkiak kryeministër. I ndjeri Bashkim Fino në vitin 1997 la detyrën e kryebashkiakut të Gjirokastrës për të drejtuar qeverinë e Pajtimit Kombëtar pas ngjarjeve të vitit të trazuar 1997.

Ndërkohë, në zgjedhjet e 14 majit socialistët i besuan rikandidimin për një mandat të dytë Flamur Golemit, i cili pasoi në detyrën e kryebashkiakut, Zamira Ramin e LSI-së. Në anën tjetër, Dorjan Lani është Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ndërsa Partia Demokratike e Alibeajt nuk ka kandidat.

Por për kë do të votojnë gjirokastritët për t'i drejtuar 4 vitet e ardhshme dhe cili është vizioni i dy kandidatëve për ta zhvilluar qytetin që ka një trashëgimi të jashtëzakonshëm?

E ardhmja e qytetit bazohet tek e shkuara

Gjirokastra, qyteti i gurtë i sokakëve, ndërtesave historike, rrugicave të zhurmshme apo dritareve dëshmitare sa e sa historish. Qyteti i shkrimtarit të madh Ismail Kadare që në kronikën e tij në gur e përshkruan mjaft bukur këtë qytet. Ai është i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 2005, si një nga pak shembujt e mbijetuar në Ballkan të qyteteve tregtare të stilit osman.

Shifrat e Gjirokastrës

Qarku i Gjirokastrës është një nga 12 qarqet në Shqipëri dhe ka një sipërfaqe prej 2884 km². Qarku përfshin shtatë bashki, Gjirokastrën, Tepelenën, Përmetin, Këlcyrën, Dropullin, Libohovën dhe Memaliajn.

https://youtu.be/Npa46_48FN0

Vetë qyteti është i vendosur në faqen e Malit të Gjerë dhe në krahun e majtë të luginës së lumit Drino. Ky është “qyteti i një mijë shkallëve” që përfshin qindra shtëpi-kullë të tipit osman me çatitë dalluese të gurta, ballkonet e drunjta dhe muret e gurta herë-herë të zbardhura me gëlqere. E mbisunduar nga ana e vet prej kalasë madhështore që ngrihet mbi një kodër të thiktë. Qyteti me popullsi 40 000 banorë, është qendra ekonomike e administrative e rrethit me të njëjtin emër.

Kultura

Qyteti i njohur dhe si Trashëgimi Botërore në UNESCO, është një nga vendet më interesante për t’u vizituar në Shqipëri. Qafa e Pazarit është bërë një pikë atraksioni për mijëra turistë vendas e të huaj, por jo vetëm. Kultura gjirokastrite është në çdo detaj që nga kulinaria tek veshjet. Këto të fundit e shumë të tjera të ekspozuara në Muzeun Etnografik.

Kalaja e Gjirokastrës është destinacioni i parë turistik ku rrotullohet historia e qytetit. Jo shumë larg Muzeut Etnografik, ndodhet dhe Shtëpia-Muze e Ismail Kadaresë. Kjo shtëpi mbart vlera jo vetëm si një nga shtëpitë më të vjetra e më mbresëlënëse të qytetit, por edhe për faktin se aty lindi e jetoi shkrimtari shqiptar i mirënjohur në të gjithë botën, kandidati i çmimit Nobel për letërsi, Ismail Kadare. Për ta shijuar plotësisht vizitën këtu, sigurohuni të keni lexuar paraprakisht dhe librin e njohur “Kronikë në gur”, të shkruar nga Kadare në homazh të kujtimeve të tij nga kjo shtëpi e nga ky qytet.

Përreth Gjirokastrës ndodhen disa nga atraksionet më të njohura arkeologjike të Shqipërisë, si Parku arkeologjik i Antigonese, Adrianopoli etj.

Ekonomia

I gjithë qarku ka një popullsi prej 170 mijë banorësh dhe ka në përbërje të shtatë bashkive gati 96 fshatra. Qytetar me të drejtë votë janë 123.270. Nga të dhënat rezulton si qarku me shkallën më të lartë të pjesëmarrjes në forcat e punës.

Sektorët që përbëjnë ekonominë e Gjirokastrës janë bujqësia, artizanati, blegtoria, hoteleria dhe turizmi. Qarku i Gjirokastrës jo vetëm po tkurret më shpejtësi nga largimi i banorëve dhe sidomos të rinjve, por sipërmarrjet kanë gjithnjë e më tepër vështirësi në treg për punonjës të kualifikuar dhe turizmi dhe trashëgimia kulturore mbeten degë ende me pak ndikim në ekonomi, ndonëse potencialet janë të mëdha.

Sfidat kryesore të qarkut janë papunësia, largimi i të rinjve, niveli i lartë i varfërisë, infrastruktura rrugore, plakja e popullsisë dhe shtimi i familjeve me ndihmë ekonomike. Pritshmëritë janë të larta nga vetë qytetarët.

Çfarë mendojnë qytetarët?

Ndër prioritetet e pritshme për zhvillimin e Gjirokastrës janë ajo e turizmit të qëndrueshëm. Por fokusi jo vetëm tek qyteti por dhe në fshatrat përreth ku prioritet është ndërhyrja në infrastrukturën rrugore, garantimi i furnizimit me ujë të pijshëm, mbështetje e bujqësisë dhe blegtorisë.

“Në këto zgjedhje presim të vijë më e mira. Të ketë punë. Të na kthehen fëmijët se janë në kurbet se mbetëm vetëm. Unë kam dal këtu të shes, pasi nuk më del 10 mijë lekë nga pensioni”, shprehet një qytetare.

“Presim të bëhet më mirë, të hapet ndonjë vend pune, të ketë pastërti, të ketë drita ujë dhe qetësi”, thotë një qytetar.

“Presim punësim. Gjirokastra ka shumë mangësi. Të hapej një punë për të rinjtë, një fabrikë, një uzinë”, thotë një tjetër qytetare e Gjirokastrës.

https://youtu.be/TiWQzeF2aa8

Sfidat e radhës së Flamur Golemit për Gjirokastrën

Ai është mjek, por braktisi profesionin për t’i shërbyer qytetit. Tani, kërkon një tjetër mandat 4-vjeçar, nën siglën e Partisë Socialiste. “Nuk jam një politikan race dhe prej 2016 lashë dashurinë time që është mjekësia, për t’iu përkushtuar qytetit tim. Një dashuri edhe më e madhe përderisa kam zgjedhur që edhe fëmijët e mi t’i rris në këtë qytet. Prej korrikut jam kryetar i bashkisë, në një periudhë jo të lehtë që filloi me tërmetin, për t’u pasuar më pas me pandeminë dhe më pas me luftën në Ukrainë që ka pasur ndikim dhe në Bashkinë tonë”, thotë Flamur Golemi në një intervistë ekskluzive për A2 CNN.

“Bashkë me stafin nuk kemi lënë derë pa trokitur për të thithur fonde të huaja dhe ndihem mirë për këtë bilanc. Sot Gjirokastra ka ujë 24 orë, para 4 vitesh, në lagjet e sipërme, në gusht, kishte 1 ose 2 orë furnizim. Po vijojmë me investime në Lazarat, projektet po vijojnë dhe në fshatrat e tjerë. Në Gjirokastër nuk ka pasur investime në ujësjellës prej 30 vitesh. Sot kemi 70% të bashkisë që furnizohet me ujë 24 orë”, shton Golemi.

Turizmi ishte në fokusin e Golemit dhe për sezonin e ri. Vitin e kaluar, sipas tij, Gjirokastrën e  vizituan mbi 200 mijë turistë, shifër kjo që pritet të rritet. Për të zhvilluar më tej këtë sektor, kandidati socialist renditi dhe investimet e kryera. “Pas viteve 90 i ra shkëlqimi. Kemi përfunduar muzeun etnografik, shtëpinë e Kadaresë, duke u shtrirë në muzeun e Kalasë dhe duke i kthyer emrin e qytetit muze Gjirokastrës. Vitin e kaluar pritëm më shumë se 200 mijë turistë dhe presim më shumë këtë vit”.

https://youtu.be/kUYTV4lT4XQ

Çfarë premton kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”?

Dorjan Lani, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për Gjirokastrën, ka prezantuar në “Debat” në A2 CNN, platformën e tij për 14 majin. Ai renditi tri shtyllat kryesore në të cilat do të bazohet platforma e tij për Gjirokastrën.

“Gjirokastra e ardhshme do të jetë kryeqendra turistike, ekologjike dhe e gjeneratës së re. Këto janë tri shtylla kryesore, të cilat janë të përshtatura me qytetin tonë të brishtë. Gjirokastra ka një brishtësi të natyrës historike.

Të jemi kryeqendër turistike, e cila është shtyllë kryesore për të ardhurat e qytetit. Sot, lagjet autoktone të Gjirokastrës janë inekzistente nga turistët. Duke arritur të kemi një dyfishim të numrin të turistëve, do të kemi dyfishim të akomodimit, i xhiros së restoranteve.

Unë do ta filloja nga pjesa e arsimit, i cili ka shumë të meta. E para, dashuria vjen në vegjëli. Nëse nuk rritemi me dashuri për qytetin që në vegjëli, kjo do të bëjë që të ketë largime. Ne jemi qyteti më popullsinë më të plakur. Kam nxjerrë 14 pika për këtë”.

https://youtu.be/0olAh5lJM1s

Si votuan gjirokastritët në vitin 2015?

https://youtu.be/y8zpHgZgtFU

Përballjet e tjera në qark

Qarku i Gjirokastrës ka 7 bashki, e në këto zgjedhje në disa prej tyre përballen tre kandidatë, nga Partia Socialiste, koalicioni Bashkë Fitojmë dhe nga Partia Demokratike e Enkelejd Alibeaj.

Në bashkinë e Dropullit kandidon Dhimitër Toli nga Partia Socialiste. Aktualisht ai mban këtë post dhe garon për mandat të dytë. Përballë tij kandidon nga Bashkë Fitojmë, i cili vjen nga radhët e partisë “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”.

Në Libohovë socialistët kandidojnë me Leonard Hiden, një oficer policie në karrierë ndërsa kandidati i Bashkë Fitojmë Adil Xhelili vjen nga tjetër fushë, ajo e arsimit.

Edhe në Bashkinë e Përmetit, nga socialistët është kryebashkiakja aktuale Alma Hoxha e cila vjen nga fusha e arsimit. E përballë saj nga koalicioni Bashkë Fitojmë është Edmond Komino, inxhinier në profesion.

Klement Ndoni rizgjidhet nga PS për të kandiduar për një mandat të dytë për bashkinë e Këlcyrës. Nga radhët e demokratëve të Alibejat është Adriatik Spahiu i cili la Amerikën për të kandiduar. Bashkë fitojmë garon me Arjan Kasajn.

Tërmet Peçi kërkon mandatin e radhës për bashkinë e Tepelenës, e përballë tij  garon Baftjar Imeri nga koalicioni Bashkë fitojmë e Sokol Guga, nga PD e Alibeajt.  Në Memaliaj, Gjolek Guci i PS është përballë Albert Malajt të koalicionit Bashkë fitojmë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos