
Për të disatën herë, banorët e fshatit Lumas, në Kuçovë, janë ngritur në protestë për të ruajtur të paprekur burimin e ujit të Sinecit.
Sipas tyre, projekti i Bashkisë Kuçovë, për ta shndërruar në ujësjellës për të furnizuar fshatra të tjerë, është bërë pa praninë e banorëve. Për këtë projekt është shpallur tashmë firma fituese dhe ka filluar edhe punimet.
Banorët e fshatit Lumas thonë se për këtë arsye, tani atyre nuk u lejohet të marri ujë në këtë burim, edhe pse është i vetmi në zonën e tyre.
Të premten, ata kanë penguar mjetet e kompanisë për të vijuar me punimet ndërsa janë përleshur edhe me policinë. Si pasojë, njëri prej banorëve është lënduar rëndë dhe është nisur për në spital.
Të tjerët kanë bllokuar rrugën dhe thonë se nuk do të lëvizin deri në marrjen e një përgjigjeje të plotë. (A2 Televizion)