Biden, i inatosur me pafajësinë e Rittenhouse, Trump e përgëzon. Protesta në disa qytete amerikane

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2021, 13:03 | Bota

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ndihej i inatosur dhe i shqetësuar nga vendimi i jurisë për të shpallur të pafajshëm Kyle Rittenhouse, adoleshentin që qëlloi për vdekje dy persona dhe plagosi një të tretë gjatë trazirave ne Kenosha, Usikonsin, vitin e kaluar.

I pyetur të premten në Shtëpinë e Bardhë për 18-vjeçarin, të cilin e kishte etiketuar supremacist të bardhë, Biden tha: “Pranoj vendimin e jurisë. Ky sistem funksionon dhe duhet t’i bindemi”. Më vonë, ai lëshoi një deklaratë për mediat duke thënë: “Edhe pse vendimi ka bërë që shumë amerikane të ndihen të inatosur dhe të shqetësuar, përfshi edhe mua, duhet të pranojmë që juria foli”. Gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar, Biden kishte postuar një video në Twitter ku Rittenhouse lidhej, pa asnjë provë, me supremacistët e bardhë.

Ndryshe nga Biden, ish-presidenti Donald Trump përgëzoi të premten adoleshentin. “Urime Kyle Rittenhouse-it për faktin që është i pafajshëm ndaj çdo akuze”, tha Trump në një deklaratë të publikuar. “E meqë ra fjala, po nuk qe ky rast vetëmbrojtja, asnjë tjetër nuk është! Gjyqi ishte vetëm një gjueti shtrigash e të majtës”.

https://a2news.com/2021/11/19/vrau-dy-persona-dhe-plagosi-nje-tjeter-shpallet-i-pafajshem-adoleshenti-amerikan/

Rittenhouse pranoi se kishte qëlluar 3 personat për të cilët akuzohet, por tha se e kishte bërë këtë për vetëmbrojtje. Në fund, juria i dha të drejtë dhe ai fitoi lirinë. Edhe pse të tre personat e qëlluar ishin të bardhë, çështja e racës ishte e pranishme pasi ngjarja ndodhi gjatë një proteste të dhunshme kundër brutalitetit policor ndaj njerëzve me ngjyrë.

Pas vendimit të gjykatës në disa qytete amerikane pati protesta të shumta. Qindra persona dolën në rrugët e Nju-Jorkut për të kundërshtuar vendimin. Më problematike u shfaq situata në Portland, Oregon, ku rreth 200 persona nisën të thyenin dritaret e dyqaneve dhe të qëllonin me objekte efektivët e policisë. Reagime të shumta pati edhe në rrjetet sociale ku dasitë partiake luajtën rol në pikëpamjet e njerëzve, me liberalët që e quajtën adoleshentin një vrasës racist, ndërsa konservatorët e vlerësuan për detyrën qytetare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos