Hetimi për korrupsion, Parlamenti i heq imunitetin ish-kancelarit austriak, Sebastian Kurz

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2021, 12:25 | Bota

Parlamenti i Austrisë i hoqi imunitetin e politikanit konservator dhe ish-kancelarit Sebastian Kurz, duke i hapur rrugën që të përballet me një hetim korrupsioni. Akuzat, për të cilat do të hetohen tani e kishin bërë që ai të largohej nga posti i kancelarit në fillim të këtij viti.

35-vjeçari ka humbur imunitetin, pasi Parlamenti në Vjenë, votoi për heqjen e mbrojtjes juridike. Kurz dhe partia e tij ÖVP e mbështetën këtë hap, për të mundësuar zbardhjen e shpejtë të akuzave.

Vetë Kurz kishte bërë thirrje më parë për heqjen e imunitetit të tij në mënyrë që hetimi të mund të vazhdonte, duke këmbëngulur se donte të luftonte pretendimet "e rreme" që i kushtuan atij detyrën si kancelar.

Kurz ka dhënë dorëheqjen, pas presionit të shtuar nga skandali i korrupsionit dhe pas bastisjeve në zyrat partisë konservatore. Ai mohon pretendimet se ka përdorur paratë e qeverisë për të blerë media dhe sondazhe për të siguruar opinion pozitiv për partinë e tij.

Prokuroria e krimit ekonomik dhe korrupsionit po heton Kurz dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë politikë për shkak të dyshimeve për abuzim.

35-vjeçari akuzohet gjithashtu për deklarata të rreme përpara një hetimi parlamentar për një skandal të veçantë që përfshin një ish-partner të koalicionit, populistin e djathtë FPÖ. Ai ka mohuar të gjitha akuzat ndaj tij. Megjithëse skandalet e detyruan Kurz të tërhiqej, ai mbetet ligjvënës dhe vazhdon të jetë edhe kreu i ÖVP-së dhe kreu i grupit të saj legjislativ.

Kurz ka pasur një karrierë meteorike në politikën austriake. Ai u bë ministër i Jashtëm kur ishte vetëm 27 vjeç dhe u ngjit në postin e kancelarit në moshën 31-vjeçare.

Ai e humbi mandatin e parë si kancelar pasi u detyrua po ashtu të japë dorëheqjen në vitin 2019, kur u ngritën akuza për korrupsion ndaj partisë në koalicionin qeverisës FPÖ. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos