Biden i pret shpresat Ukrainës: Nuk është gati për NATO

Nga A2 CNN
10 Korrik 2023, 09:43 | Bota
Biden i pret shpresat Ukrainës: Nuk është gati për NATO

Ukraina nuk është gati për anëtarësimin në NATO! Është presidenti amerikan, Joe Biden, që e thotë këtë në një intervistë ekskluzive për CNN.

Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, aleanca ushtarake mund të konsiderojë pranimin e Kievit në radhët e veta, vetëm pasi lufta ruse në Ukrainë të përfundojë.

Por ndërsa i konsideron të parakohshme diskutimet për anëtarësimin e Ukrainës, Biden garantoi se SHBA-ja dhe aleatët do të vazhdojnë t’i sigurojnë presidentit Volodymyr Zelensky dhe forcave të tij, armatimet e nevojshme për t'i dhënë fund luftës. 

“Nuk mendoj se Ukraina është gati për anëtarësim në NATO. Nuk ka unanimitet brenda aleancës sa i përket çështjes. Tani në mesin e një lufte për shembull, nëse do ta bënim këtë, do të ishim të detyruar t’i përmbaheshim zotimit për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të aleancës”, tha presidenti amerikan.

Biden foli para se të niste udhëtimin për në Europë, që përfshin pjesëmarrjen në samitin e NATO-s në Lituani, ku lufta ruse në Ukrainë dhe thirrja e Zelenskit për anëtarësim, do të jenë mes çështjeve kyçe.

Të premten, Shtëpia e Bardhë njoftoi se për herë të parë do t’i japin Ukrainës bomba thërrmuese, për t’i dhënë një shtysë kundërofensivës ndaj Rusisë.

Biden tha për CNN se dhënia e armatimeve kontroverse kishte qenë një vendim i vështirë, por i domosdoshëm, pasi Kievit po i mbarojnë municionet.

Senatori demokrat Tim Kaine dhe ligjvënësja demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Barbara Lee ngritën shqetësimet lidhur me vendimin e Biden për ta furnizuar Ukrainën me bomba thërrmuese. Të ndaluara nga mbi 100 vende, ato janë pjesë e një pakete të re ndihme ushtarake me vlerë 800 milionë dollarëshe. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/07/09/gjermania-frenon-ukrainen/
https://a2news.com/2023/07/09/pse-bombat-therrmuese-per-ukrainen-po-perplasin-ameriken-me-aleatet/

A2 CNN Livestream

Latest Videos