Bilanci i bujqësisë, eksportet u rritën, por nuk dhanë efekt tek ekonomia

Nga A2 CNN
13 Janar 2023, 15:20 | Aktualitet

Bujqësia pati një vit të mirë, me rritje të prodhimit dhe eksporteve vitin e shkuar, por që nuk arriti të konkretizohej edhe në rritje të ekonomisë. Pavarësisht rritjes së punësimit dhe pagave, ky sektor arriti të kontribuojë me vetëm 0.05 pikë përqindje në rritjen ekonomike.

Megjithatë, në analizën vjetore të institucionit që ajo drejton, ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, cilësoi rritjen e eksporteve me 18.1% si arritjen më të madhe.

Por suksesi i fruta-perimeve nuk u ndoq edhe te blegtoria, ku prodhimi i mishit dhe i qumështit rezultoi në rënie, ashtu si rënia e krerëve të gjedhëve dhe bagëtive që ndodh tashmë prej vitesh. Ministrja deklaroi se këtë problematikë do ta bëjë prioritetin kryesor këtë vit.

Një tjetër çështje që do të adresohet sipas ministres është edhe ajo e vajit të ullirit, që has vështirësi në gjetjen e tregjeve europiane. Në pritje sipas ministres edhe një marrëveshje që lejon tregtimin drejt Italisë, si dhe shtimi i masës për fabrikat e përpunimit të vajit të ullirit në programin IPARD.

Për vitin 2023, prioritet e bujqësisë do të fokusohen te digjitalizimi i sektorit, peshkimi, agroturizmi dhe ngritja e tregjeve të reja bujqësore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos