Bimë dhe lule të rralla, konkursi i përvitshëm për parkun më të bukur

Nga A2 CNN
27 Prill 2022, 16:28 | Lifestyle

"Parku më i bukur" është një konkurs i përvitshëm që organizohet në Itali dhe synon të përmirësojë trashëgiminë e parqeve dhe kopshteve në të gjithë Gadishullin Apenin.

Janë rreth një mijë parqe dhe kopshte që mund të vizitohen si pjesë e një rrjeti i cili po përpiqet të nxisë shtimin e hapësirave të gjelbra, dhe po shndërrohet gjithashtu në një atraksion turistik. Dy fituesit e edicionit të XVIII të konkursit “Parku më i bukur”, u shpallën Kopshtet Mbretërore të Venecias dhe Kopshtet e Villa della Pergola në Alassio.

Kopshtet Mbretërore të Venecias

Këto kopshte thuhet se u porositën nga Napoleon Bonaparti për të përfunduar Pallatin e ri Mbretëror. Ato zënë një sipërfaqe prej rreth 5000 metra katrorë, që u zgjerua edhe më shumë pas rikonstruksionit të vitit 2014. Pas një kërkimi të kujdesshëm në arkiv, arkitektja Adele Re Rebaudengo që u vu në krye të këtij projekti, u kujdes që rinovimi të ishte sa më skrupuloz, duke ruajtur çdo detaj, si portat dhe pjergullat e vjetra. Parku është i pasur me lloje të ndryshme bimësh ekzotike dhe rezistente, të cilat sigurojnë lulëzim të pandërprerë dhe të mahnitshëm.

Kopshtet e Alassio

Me pamjen e tyre të pakrahasueshme mbi të gjithë Gjirin e Alassio dhe ishullin Gallinara, kopshtet e Villa della Pergola në Alassio, e kanë zanafillën në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, si dhe lidhen ngushtë me historinë e komunitetit anglez në Liguria. Në vitin 2006, prona u ble dhe u restaurua në mënyrë shumë të kujdesshme nën drejtimin e arkitektit të peizazhit Paolo Pejrone. Restaurimi përfshiu 22 mijë metra katrorë dhe vëmendje të veçantë mori ruajtja dhe pasurimi i koleksioneve të njohura botanike, duke përfshirë atë të "wisteria", më i rëndësishmi në Itali me 34 varietete të ndryshme, dhe të agapanthus, një koleksion unik në Evropë, me rreth 500 varietete.

Parajsa e agrumeve

Ky afresk natyror me një florë mesdhetare dhe ekzotike me gjelbërim të përhershëm, është i mbushur me pisha, ullinj, bajame, selvi, lisat dhe fidanë të pafundëm agrumesh (mbi 30 varietete). Veç tyre, janë mbjellë edhe bimë të rralla si Wollemia nobilis (e pranishme në më pak se njëqind ekzemplarë në botë), strelitia gjigante, kaktusët nga të gjitha hapësirat gjeografike ku rritet dhe palmat canariensis. Në parajsën e agrumeve, ju keni mundësi të ecni nëpër shtigje të mbushura me lule me aroma dhe ngjyra të ndryshme. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/07/10/kopshtet-mahnitese-italiane-qe-mund-te-ndryshojne-turizmin/

A2 CNN Livestream

Latest Videos