
Çdo ditë, më shumë se 740 mijë automjete lëvizin në rrugët e Shqipërisë, të shtrira në rreth 18 mijë kilometra.
Pjesa më e madhe e tyre djegin naftë, rreth 17 për qind benzinë dhe pjesa tjetër punojnë me gaz apo energji elektrike.
Transporti publik zë një pjesë të konsiderueshme në djegien e karburanteve, duke u vlerësuar si kontribuuesi më i madh i CO2 në vend.
“Transporti është përgjegjës për shkarkimin e 3.3 milionë ndotje në ajër çdo vit. Ky është problemi më i madh i ndotjes në vend,” shprehet eksperti për mjedisin, Rodion Gjoka.
Një draft-ligj i hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, hedhur për konsultim publik synon të nxisë përdorimin e biokarburanteve në vend, veçanërisht në transportin publik.
Sipas draftit sasia minimale vjetore në treg e biokarburanteve dhe e lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport, duhet të jetë jo më pak se 5 për qind të sasisë të konsumuar në sektorin e transportit në vitin 2024.
Nga viti 2025 e në vazhdim, kjo sasi do të jetë jo më pak se 10 për qind.
Projektligji për “Biokarburantet” në fakt është depozituar në Kuvend që para 4 vitesh, por pa marrë votat e nevojshme për miratim. (A2 Televizion)