Pasi u shndërrua pa vullnetin e tij në shkakun e fillimit të procedurave për shkarkim të presidentit amerikan Donald Trump, tashmë presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenski po përballon krizën e parë politike në vend pas fitores së bujshme zgjedhore të vitit të kaluar.
Kryeministri i tij 35 vjecar Oleksiy Goncharuk pas presionit të ditëve të fundit ka deklaruar zyrtarisht se i ka dërguar Presidencës dorëheqjen e tij.

Akti politik i numrit 2 ukrainas u justifikua nga dalja e disa regjistrimeve audio në të cilat Goncharyk dukej sikur tallte presidentin duke e quajtur “totalisht primitiv” në kuptimin e çështjeve ekonomike.
Regjistrimi kishte si kontekst një mbledhje private në dhjetor, së bashku me drejtues të Bankës Qendrore, ku po diskutohej sesi t’i shpjegoheshin presidentit në mënyrë të thjeshtë prioritetet ekonomike të vendit.
Edhe pse në regjistrimet edhe ai e quan veten si “injorant” në atë fushë, reagimet ishin të forta, dhe iu bashkuan kritikave ndaj mungesës së reformave ekonomike por edhe pozicionit disi pasiv të presidentit për sa i përket luftës civile në lindje të vendit.
“Dhashë dorëheqjen sepse nga përgjimet duket sikur unë dhe stafi im nuk e respektojmë presidentin, dhe kjo është një shenjë e vlerësimit tim”, tha kryeministri.
Mbetet për tu parë vendimi i Zelenskit, por pranimi i dorëheqjeve mund të shihet si një sinjal i kundërt me premtimet reformiste me të cilat fitoi zgjedhjet. (A2 Televizion)