
Bitcoin kapi të premten vlerën e 60 mijë dollarëve, shifër shumë pranë rekordit historik, pas rritjes së besimit mes investitorëve që shumë shpejt rregullatorët amerikanë do të miratojnë masa të reja që do ta bëjnë më të sigurt investimin e tyre.
Ky është një tjetër hap drejt futjes së kriptomonedhës në “shinat” e ekonomisë zyrtare, pas miratimit muajin e kaluar nga El Salvadori të Bitcoin si mënyrë ligjore pagesash.
“Bloomberg News” raportoi këtë javë se Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Këmbimeve Valutore do të miratojë që javën e ardhshme ngritjen e Fondeve Tregtare të Këmbimeve Valutore edhe për tregtimin e Bitcoin. Këto fonde tregtare janë një mënyrë më e lehtë investimi në kriptomonedha për ata investitorë që nuk duan të “mundohen” duke bërë “mining” për të gjeneruar Bitcoin të rinj.
Disa kompani kanë aplikuar për ngritjen e fondeve të tillë në SHBA, raporton Reuters. Ndërsa në Kanada dhe Europë ato janë lejuar të ngrihen tashmë.
Bitcoin është kriptomonedha më e madhe në botë. Rekordi historik i vlerës së saj është 64895 dollarë. (A2 Televizion)