
Industria e bimëve aromatike dhe mjekësore është katërfishuar gjatë dekadës së fundit, duke kulmuar me 4.5 miliardë lekë eksporteve vitin e kaluar. Shqipëria është kthyer në një lojtar global, veçanërisht në prodhimin e sherebelës, e cila zë mbi 70% të importeve të kësaj bime në Shtetet e Bashkuara.
Për përfaqësuesit e këtij sektori, ka ende shumë mundësi për rritje, me një synim për të arritur në 200 milionë euro eksporte në 10 vite, çka do të çonte në krijimin e shumë vendeve të punës nga 85 mijë punëtorë sezonalë dhe me kohë të plotë që ka aktualisht industria.
Por rruga dhe klima ku veprojnë këto biznese nuk është e lehtë. Mungojnë subvencionet dhe skemat për përfshirjen e tyre në projektet dhe fondet e Bashkimit Europian. Ata i kërkojnë shtetit të thjeshtëzojë procedurat për marrjen në përdorimin dhe shfrytëzimin e blloqeve me bimë aromatike mjekësore të egra.
Një tjetër problem që po evidentohet vitet e fundit nga ky sektor, është plakja e popullsisë, zbrazja e rretheve dhe emigrimi i të rinjve. Kjo vështirëson mbledhjen e bimëve të egra, një aktivitet me të punësuar sezonalë të kryer përgjithësisht nga nxënësit dhe studentët.
Shqipëria, eksportuesja e dytë në rajon për bimët mjekësore
Shqipëria konsiderohet si eksportuesja e dytë më e madhe e bimëve mjekësore dhe aromatike në Europën Juglindore, duke u renditur pas Bullgarisë dhe duke lënë pas edhe vende të zhvilluara si Turqi, Kroaci etj.
Sipas të dhënave, sherebela shqiptare zë 70% të tregut amerikan. Por kjo industri, që është një potencial i jashtëzakonshëm për ekonominë e vendit dhe që gjeneron të ardhura të konsiderueshme, është zhvilluar vetëm nga iniciativa e vetë bizneseve, fondacioneve të huaja dhe fermerëve të thjeshtë.
Ndërsa ndihma nga shteti ka munguar, po ashtu si edhe skemat subvencionuese, të cilat aplikohen gjerësisht në vendet e tjera. (A2 Televizion)