Si është sot biznesi shqiptar apo investitorët e huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë? A e dëgjon qeveria biznesin dhe sa e ndjeshme është ndaj kërkesave të tij? Për këtë ishin të ftuar sot në A2 CNN ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi; Nikolin Jaka, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë dhe Mark Crawford, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë.
A mund të bësh biznes në Shqipëri, i pa shqetësuar dhe me rregulla të qarta loje? Për Nikolin Jakën, nëse për opinionin publik është e vështirë, “po të flasësh me sipërmarrësit është dy herë më e vështirë”. Por shton “jo e pamundur, përndryshe do të thoshte që Shqipëria nuk do të bëhet”.
Por cilat janë problematikat? Jaka është i qartë. “Gjëja më themelore është mungesa e konsultimit dhe kalimi i shumë ligjeve të pa konsultuara me sipërmarrjet vendase”, që e bën të pamundur zhvillimin e atij sektori.
Ministri Shalsi mendon ndryshe. “Ndjek problematikat e biznesit nga viti 1995, kur isha i angazhuar në sektorin bankar, prandaj kam respekt ndaj sakrificave të biznesmenëve shqiptarë. Por pyetjes i përgjigjem që sigurisht mund të bësh biznes në Shqipëri”.

Me rregulla të qarta loje? “Ka shume probleme”, pranon Shalsi, “prandaj kemi një ministri për mbrojtën e biznesit, që është e pazakonte dhe nuk ndodhet në vendet e zhvilluara”. Për konsultimet, ai thotë “mos prisni që të kalohet nga kaosi në perfeksion, por unë ngrihem dhe ngrysem në konsultime me biznesin”.
Por ndërkohë në Lushnje, sot është derdhur qumështi nga fermerët që kundërshtojnë uljen e masës së rimbursimit të TVSH për qumështin nga 20% në vetëm 6% nga shteti.
“Jemi të gjithë të shqetësuar”, pohon ministri. “U nisem nga një premisë 20%, ndërkohë që duke analizuar skemën pamë që përfituesit nuk ishin fermerët, dhe besoj se duhet përmirësuar skema, sepse aktualja mund të paraqesë disa rreziqe. Mendoj se mund të ishte konsultuar edhe më shumë dhe debatuar më mirë”.
Jaka vlerëson angazhimin e Shalsit, por mendon se bizneset duhet të dialogojnë në mënyrë direkte me Ministritë e linjës si ajo e Financave, që me iniciativa si ligji për fermerët, ajo për plastikën si dhe tarifa 3% për industrinë e ndërtimit (“është 70% e fitimit”, sipas Jakës), po rrezikon shembjen e bazave të ekonomisë në vend.
Shalsi pranon problematikat, por thotë edhe që Qeverisë aktuale ka “forcë reflektuese”. Sipas tij, problematikat për çështjen e plastikës u thjeshtëzuan me disa udhëzime specifike, dhe që do të zgjidhen me disa shtojca ligjore, dhe nuk është larg zgjidhjes edhe problematika e qumështit.
Mark Crawford, nga ana e tij, nënvizon një tjetër problem shqetësues, ai i mungesës së burimeve njerëzore.
Mungesës së përhershme, tashmë i është shtuar edhe konkurrenca e vendeve te tjera që tërheqin personel të kualifikuar, si Gjermania dhe Kanadaja, “por edhe vendet kufitare me Shqipërinë, si Mali i Zi”. (A2 Televizion)