
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, sulmoi Kinën për përgjigjen e saj të ngadaltë ndaj kërcënimit të koronavirusit më shumë se një vit më parë. Sipas tij, reagimi i Kinës ndikoi në rëndimin e situatës në të gjithë botën.
"Unë mendoj se Kina e di se në fazat e hershme të COVID-it, ajo nuk bëri atë që duhej të bënte, pra t'u jepte qasje në kohë reale ekspertëve ndërkombëtarë, të shkëmbente informacion, e të ishte më transparente”, theksoi Blinken.
Diplomati i lartë amerikan shtoi se si rezultat i dështimit, virusi doli jashtë kontrollit më shpejt dhe me rezultate më të tmerrshme nga çdo do të kishte ndodhur. Blinken nuk iu përgjigj pyetjes nëse beson se Kina e di origjinën e virusit dhe i ka fshehur informacionet.
Sekretari amerikan i shtetit tha se numri i të vdekurve në të gjithë botën, i cili aktualisht është mbi 2.9 milionë njerëz. "Tregon se çfarë duhet të bëjnë tani Kina dhe vendet e tjera. Ndërsa përballemi me COVID-19, duhet gjithashtu të ngremë një sistem më të fortë global shëndetësor për t'u siguruar që një krizë e ngjashme të mos ndodhë më, ose nëse do të ndodhë përsëri, të jemi në gjendje ta zbusim atë”, ishin fjalët e Blinken.
Shtetet e Bashkuara po vaksinojnë miliona amerikanë kundër virusit çdo javë, më tepër se në shumë vende të tjera dhe presidenti Joe Biden ka thënë se brenda një jave të gjithë të rriturit që duan të vaksinohen, pavarësisht nga mosha e tyre, do të mund të regjistrohen. (A2 Televizion)