15 vjet më pas, raporti që e stigmatizoi Kosovën

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2025, 10:30 | Blog

15 vjet më pas, raporti që e stigmatizoi Kosovën

Nga Ibish Neziri

Sot u bënë pesëmbëdhjetë vjet që nga publikimi i Raportit të Dick Marty-t në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, një dokument që jo vetëm tronditi opinionin ndërkombëtar, por la pas vetes një nga stigmatizimet më të rënda kolektive ndaj Kosovës dhe shqiptarëve pas luftës së viteve 1998–1999. Raporti u paraqit si thirrje për drejtësi. Por pesëmbëdhjetë vjet më vonë, pyetja legjitime mbetet: çfarë drejtësie prodhoi ai realisht?

Një raport, një akuzë, një damkë

Në dhjetor të vitit 2010, raporti i senatorit zviceran Dick Marty ngriti akuza tronditëse për trajtim çnjerëzor dhe për trafikim organesh nga struktura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa u shndërruar në aktakuzë, pa kaluar nëpër filtrin e një gjykate dhe pa prova materiale konkrete, raporti u përqafua menjëherë nga një pjesë e mediave ndërkombëtare si fakt i kryer.

Që nga ajo ditë, emrat “Kosovë”, “UÇK” dhe “trafik organesh” u lidhën në një fjali që do të qarkullonte për vite, pavarësisht se akuza më e rëndë e raportit kurrë nuk u vërtetua juridikisht.

Në kulmin e histerisë mediatike dhe politike, çdo zë skeptik u cilësua i dyshimtë. Megjithatë, kishte arsye serioze për dyshim, jo për të mohuar krime lufte, por për të mos pranuar pa prova një akuzë që kërkonte standardin më të lartë të verifikimit.

Si gazetar dhe si qytetar që kishte kaluar burgjet jugosllave për bindje politike, pata bindjen se dyshimi ishte jo vetëm e drejtë, por edhe detyrim moral. Në një intervistë për Aargauer Zeitung, të publikuar më 18 dhjetor 2010në këtë gazetë dhe në katër gazeta tjera (Zofinger Tagblatt, Thurgauer Zeitung, St. Galler Tagblatt dhe Badener Tagblatt), thashë atë që më dukej evidente: pretendimi për trafikim organesh, në kushtet e viteve 1998–1999 në Kosovë dhe Shqipëri, ishte teknikisht dhe logjistikisht jo vetëm i dyshimtë, por krejtësisht i pamundur.

Jo për të mbrojtur dikë, por sepse krime të tilla kërkojnë kushte reale mjekësore, infrastrukturë dhe gjurmë materiale, të cilat thjesht nuk ekzistonin aty ku raporti i lokalizonte.

Si u ndërtua raporti?

Nëse ndahet në faza, ky raport pati tri faza ndërtimi.

Faza e parë ishte publikimi i librit të Carla Del Pontes "Gjuetia: Unë dhe kriminelët e luftës", (2008), me informacione për të cilat edhe vetë autorja pranon se ishin të paverifikuara dhe të pamundura për t’u shndërruar në aktakuzë. Ky libër krijoi terrenin emocional.

Faza e dytë u zhvillua në stacionin e trenit në Cyrih, ku, siç u mësua më vonë, në nisjen dhe stisjen e raportit roli i ambasadorit serb në Bern Milan S. Protiq, si pjesë e një operacioni të strukturuar propagandistik të Beogradit, i ndihmuar edhe nga prokurori Bruno Vekariq, ishte vendimtar. Vetë vendi ku u nis kjo narrativë hedh dyshime serioze për motivim politik dhe madje për korruptim të autorit të raportit.

Faza e tretë ishte vetë Raporti Marty, i cili e institucionalizoi narrativën, duke përdorur terma të mjegullt si “indikacione” dhe “informacione të besueshme”, por pa asnjë provë materiale.

Kështu, një hipotezë e paqëndrueshme u shndërrua në dogmë politike.

Çfarë ndodhi pas raportit?

Raporti Marty u pasua nga hetime ndërkombëtare: EULEX, Special Task Force, diskutime për gjykata speciale dhe presione të pafundme për krijimin e tyre. Megjithatë, një fakt mbetet i pandryshueshëm edhe sot: akuza për trafikim organesh nuk u bë kurrë pjesë e ndonjë aktakuze penale konkrete.

Ky nuk është detaj i parëndësishëm, është thelb, është prova më e qartë e mungesës së provave.

Në drejtësi, ajo që nuk akuzohet dhe nuk provohet, nuk mund të vazhdojë të jetojë si fakt moral në opinion.

Raporti prodhoi një stigmatizim kolektiv: një popull që kishte përjetuar spastrim etnik, masakra dhe varreza masive nga Serbia katër herë brenda 120 viteve, u përball me një përmbysje morale, nga viktimë në subjekt të një krimi monstruoz, pa u provuar ky krim.

Edhe pse akuza nuk u vërtetua kurrë, asnjë institucion ndërkombëtar nuk pati kurajën minimale të dilte publikisht dhe të deklaronte: “Akuza e trafikimit të organeve nuk u vërtetua.”

Edhe kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkoi rishikimin e Rezolutës së vitit 2011 dhe hedhjen poshtë të akuzave të Raportit Marty, Këshilli i Evropës reagoi me një ftohtësi procedurale. Nuk u hap asnjë proces rishikimi, nuk u ngrit asnjë grup pune dhe nuk u mor asnjë vendim për të sqaruar publikisht se akuzat nuk janë shndërruar kurrë në aktakuzë.

Institucioni që e miratoi raportin nuk gjeti guximin minimal moral për të korrigjuar një akuzë të pabazë, duke lënë në fuqi stigmatizimin që vetë e kishte ndihmuar ta krijonte.

 

BATAJNICA, VARREZAT MASIVE DHE TË PAGJETURIT

Pse ky shkrim sot?

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, nuk është vonë për një bilanc të ftohtë dhe racional. Ky shkrim nuk synon të mohojë krime, as të relativizojë përgjegjësi individuale. Synon vetëm një gjë: të rikthejë pyetjet që atëherë nuk u bënë, por që duhej bërë.

Duke qenë e vetëdijshme se VMA-ja, Vojnomedicinska Akademija (Akademia Ushtarake Mjekësore) dhe kontrolli mbi viktimat e bënin objektivisht të akuzueshme, Serbia projektoi paraprakisht narrativën e trafikimit mbi UÇK-në. Kjo akuzë parandaluese nuk synonte zbulimin e së vërtetës, por bllokimin e çdo hetimi që mund të çonte drejt vetë Serbisë.

Batajnica, varrezat masive dhe të pagjeturit

Njëra ndër pyetjet më thelbësore është kjo: pse 744 trupa pikërisht në Batajnicë? Pse edhe trupa të tjerë shqiptarësh nëpër varreza masive gjithandej Serbisë, në Petrovo Selo, Peruçac, Rudnicë, në kënetat e Sremit dhe në lokacione të tjera të kontrolluara nga policia dhe ushtria serbe? Dhe mbi të gjitha: ku janë edhe rreth 1600 shqiptarë ende të pagjetur?

Si shkuan këta njerëz në Serbi, të gjallë apo të vdekur? Dhe pse Serbia nuk u përball kurrë me akuzën për trafikim organesh, ndonëse kishte kapacitetet teknike për ta kryer atë?

Transplantimi i organeve nuk është akt simbolik, por proces jashtëzakonisht i ndërlikuar mjekësor. Ai kërkon sallë operacioni sterile, energji elektrike të pandërprerë, anesteziologë dhe kirurgë të specializuar, laboratorë imunologjikë, ruajtje të kontrolluar të organeve dhe transport brenda një kohe shumë të kufizuar.

Kosova e viteve 1998–1999 nuk i kishte këto kushte as për kirurgji rutine, e lëre më për transplantime. Spitalet punonin në kushte lufte, me mungesë të theksuar të stafit, barnave dhe energjisë elektrike. Shqipëria e po atyre viteve përjetonte krizë të thellë infrastrukturore; në zonat veriore energjia elektrike ishte e pranishme vetëm disa orë në ditë dhe transplantimet ishin të pamundura të realizoheshin.

Skenari i ashtuquajtur “Shtëpia e Verdhë”, i paraqitur si qendër kirurgjie ilegale, bie ndesh jo vetëm me logjikën, por edhe me biologjinë elementare. Një shtëpi private nuk zëvendëson infrastrukturën spitalore që Serbia e kishte, para së gjithash në VMA (Vojnomedicinska Akademija), vetëm rreth njëzet kilometra nga Batajnica.

Ndërkohë që opinioni botëror u fokusua në skenarë pa trupa dhe pa varreza, në Serbi u zbuluan varreza masive reale. Trupat e gjetur u identifikuan përmes ADN-së dhe u konfirmua se ishin transportuar nga Kosova në Serbi nga struktura shtetërore. Por asnjëherë nuk u tha në çfarë gjendjeje u transportuan – të gjallë apo të vdekur.

Dokumentacion publik që ta mbyllë përfundimisht këtë pyetje nuk ekziston. Autopsitë u kryen me fokus në identifikim dhe shkakun e vdekjes, por jo edhe në një hetim sistematik për shenja të nxjerrjes së organeve. Këta trupa ishin prova reale të krimeve shtetërore, por u trajtuan vetëm si dëshmi vrasjesh, jo si objekt i një hetimi më të gjerë.

Standardi i dyfishtë i drejtësisë

Pas Raportit Marty u ngritën mekanizma të veçantë për hetimin e palës shqiptare: EULEX, Special Task Force dhe më pas Gjykata Speciale. Por asnjë mekanizëm i krahasueshëm nuk u krijua për hetimin e zhvendosjes sistematike të trupave, fshehjes shtetërore të krimeve dhe zinxhirit komandues në Serbi.

Akuza për trafikim organesh, ndonëse më monstruozja në diskurs, u zhduk nga aktakuzat, ndërsa damka morale mbeti. Kjo krijoi paradoksin: akuza më e rëndë nuk u provua, por u përdor; krimet e provuara u relativizuan.

15 vjet pas, çfarë mbeti pa u hetuar?

Pesëmbëdhjetë vjet pas Raportit Marty është i qartë: akuza për trafikim organesh nuk u vërtetua; kushtet teknike nuk e mbështesnin; dhe disa pista reale nuk u hetuan kurrë. Stigmatizimi kolektiv mbeti. Drejtësia jo.

Serbia nuk ishte dhe nuk është një hapësirë pa kapacitete, por një shtet me traditë të konsoliduar në transplantimin e organeve: transplantimi i parë i veshkës u krye në Beograd më 1972, ai me sukses afatgjatë më 1975, ndërsa më 1995 në VMA u realizua transplantimi i parë i mëlçisë. Në kohën e luftës në Kosovë, Serbia kishte dekada përvojë mjekësore dhe një institucion ushtarak mjekësor funksional.

Kur këto fakte vendosen përballë Batajnicës dhe varrezave të tjera masive, shmangia e kësaj piste nga hetimet ndërkombëtare nuk është më neglizhencë, por zgjedhje morale.

Kur drejtësia ndërkombëtare zgjodhi të mos shohë Batajnicën, VMA-në dhe rreth 1 600 të pagjeturit, ajo nuk gaboi nga padija, por nga zgjedhja. Dhe aty ku drejtësia zgjedh narrativën në vend të provave, ajo pushon së qeni drejtësi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos