Drejtoresha ekzekutive e SCiDEV, Blerjana Bino, deklaroi se mos-heqja e plotë e shpifjes nga Kodi Penal e mban këtë nen si një instrument frikësues dhe intimidues ndaj gazetarëve dhe aktivistëve të interesit publik.
E ftuar në emisionin “ÇdoKënd” me Merita Haklaj, Bino theksoi se dekriminalizimi i shpifjes nuk do të thotë imunitet për ata që shpifin, por heqje e një mekanizmi penal që pengon lirinë e shprehjes dhe krijon presion ndaj medias kritike.
“Edhe kur parashikohet vetëm me gjobë, shpifja mbetet instrument penal dhe ka efekt frikësues. Ky është ajo që Këshilli i Europës e quan ‘chilling effect’ ndaj gazetarisë cilësore”, u shpreh ajo.
Sipas Binos, standardet e Bashkimit Europian kërkojnë heqjen e plotë të neneve për fyerjen dhe shpifjen nga Kodi Penal, duke i lënë zgjidhjet vetëm në rrugë civile përmes dëmshpërblimit, përgënjeshtrimit apo korrigjimit.
Ajo shtoi se ky ka qenë një angazhim i marrë nga qeveria shqiptare në kuadër të procesit të integrimit europian, por se ndryshimet e fundit ligjore përbëjnë devijim nga dakordësia e arritur me organizatat e medias dhe shoqërinë civile. (A2 Televizion)