“Jo molotovë”, Tabaku “flakë për flake” me eurodeputetin: Shqetësimi për Ballukun shkon përtej PD

Nga A2 CNN
30 Janar 2026, 22:05 | Politikë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka replikuar me raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, lidhur me vlerësimin e protestës së opozitës të 24 janarit dhe situatën e demokracisë në vend.

Në një intervistë për emisionin “ÇdoKënd” me Merita Haklaj, Tabaku theksoi se protesta është një mjet europian i shprehjes së pakënaqësisë dhe se problemi real nuk janë molotovët, por mbrojtja politike e korrupsionit.

“Nuk është mënyrë europiane të mbrosh korrupsionin. Protesta është mënyrë europiane për të thënë gjërat”, deklaroi Tabaku, duke shtuar se shqetësimi për çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku shkon përtej interesave të Partisë Demokratike.

Sipas saj, zvarritja e shqyrtimit të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit përbën një precedent të rrezikshëm dhe një mburojë politike ndaj drejtësisë.

“Ky nuk është shqetësim vetëm i PD-së, por i gjithë shoqërisë dhe një pengesë serioze për integrimin europian. Imuniteti nuk është privilegj, por përgjegjësi”, theksoi Tabaku.

Ajo akuzoi mazhorancën se po zvarrit procesin me qëllim, duke cenuar kredibilitetin e SPAK dhe duke dërguar mesazhin se korrupsioni mund të mbrohet përmes forcës politike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos