3 mësime që duhet të nxirren nga ulërimat e Vuçiqit, Dodikut e Knezheviqit në një qytet të Bosnjës

Nga A2 CNN
7 Gusht 2026, 12:04 | Blog
3 mësime që duhet të nxirren nga ulërimat e Vuçiqit,

Serbia vazhdon të instrumentalizojë serbët në rajon për të destabilizuar shtetet fqinje. Politikanët serbë po përdorin gjuhë raciste me qëllim të lidhjes së aleancave me ekstremistët e djathtë në botën perëndimore. Njëkohësisht po vazhdon deformimi i fakteve historike.


Enver Robelli


1. Mësimi i parë

Millan Knezheviq konsiderohet si politikani kryesor i Beogradit në Mal të Zi. Ai e quan veten serb. Dhe kjo është e drejtë e tij. Knezheviq promovon nacionalizmin serb. Përfaqëson qëndrime shumë të afërta me Rusinë. Thotë se me referendumin e vitit 2006 dhe shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi është krijuar një “shtet privat”. Referendumin e pavarësisë nuk e pranon. Knezheviq ka lansuar nismën që Mali i Zi ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e quan Knezheviqin “mik” e “vëlla” dhe e ka dekoruar me Urdhrin e Flamurit Serb të Klasit të Parë.


Knezheviq nuk i zhgënjeu liderët serbë të “botës serbe” (“srpski svet”): Aleksandar Vuçiqin dhe Millorad Dodikun. Të gjithë këta dhe një grumbull popash, bashkë me Patriarkun e Kishës Ortodokse, Porfirijen, u mblodhën të martën në qytezën Mërkonjiq Grad, në Bosnjën perëndimore, për të përkujtuar dëbimin (sipas palës serbe) apo ikjen (sipas palës kroate) të dhjetëra-mijëra serbëve nga Kroacia gjatë aksionit të forcave kroate të sigurisë “Olluja” (Stuhia), më 4 dhe 5 gusht 1995, kundër bandave të armatosura të të ashtuquajturës Republika Srpska Krajina.


Në fjalimin e tij, Knezheviq atakoi Malin e Zi për shkak se më 2008 e ka pranuar Kosovën dhe për shkak se katër herë e ka “shpallur popullin serb popull gjenocidal” (bëhet fjalë për katër deklarata apo rezoluta të Malit të Zi në lidhje me gjenocidin e forcave serbe në Srebrenicë më 1995, ). Pastaj radha i erdhi Brukselit, i cili, sipas Knezheviqit, paskësh dhënë urdhër që Bogosllovija në Prizren, Manastiri i Deçanit dhe Patriarkana e Pejës t’i jepen Albin Kurtit. Në përfundime të tilla pa asnjë bazë mund të arrijë vetëm një çetnik toksik.


Në vazhdim të fjalimit të tij në Mërkonjiq Grad, i cili tani gjendet në entitetin serb të Bosnjës, Knezheviq tha se 33 për qind e banorëve të Malit të Zi janë serbë; andaj, kush dëshiron të jetojë në paqe me ta, duhet të llogarisë me këta 33 për qind, ndërsa kush do luftë, duhet të llogarisë në rezistencën e këtij 33-përqindëshi, paralajmëroi ai. Në stilin e një agjenti të Kremlinit në Ballkan, Knezheviq tha se serbët e Malit të Zi nuk kanë dalë “nga epruvetat e Brukselit”, por janë popull i Sveti Savës dhe i Kishës Serbe. Nga kjo botë nuk është larg as gjarpëri dhe jatagani. Knezheviq foli për heronjtë që po pritet të zgjohen me jatagan dhe shtoi se “po lindin serbë të rinj, të zemëruar si gjarpëri i Krajinës; mbajeni mend mirë, dushmanë, kurrë më ‘Blesak’ dhe ‘Olluja’” (emrat e aksioneve policoro-ushtarake kroate kundër nacionalistëve të armatosur serbë).


Mësimi i parë që duhet të nxirret nga kjo paraqitje e Millan Knezheviqit është se Serbia po vazhdon t’i destabilizojë shtetet fqinje nëpërmjet instrumentalizimit të politikanëve të pakicave përkatëse serbe. Këtë e bën edhe me Listën Serbe në Kosovë.


2. Mësimi i dytë

Në Mërkonjiq Grad fjalën e mori edhe Millorad Dodiku, politikani më me ndikim i serbëve të Bosnjës dhe aleati më besnik i Vlladimir Putinit në Ballkan. Dodik mban vetëm postin e kryetarit të partisë së tij “socialdemokrate”, pasi drejtësia në Bosnjë e ka detyruar të largohet nga posti i kryetarit të Republika Srpskës dhe i është ndaluar të merret me politikë për gjashtë vite. Dodik ka investuar miliona dollarë në grupe lobimi në Washington, ka arritur të depërtojë në rrethin e Donald Trumpit dhe Departamenti i Shtetit ia ka hequr sanksionet që ia kishte vendosur më 2017. Pasi përmendi, sipas tij, vuajtjet e njëpasnjëshme të serbëve dhe “1 milion viktima” (e dhënë kjo pa asnjë bazë shkencore), edhe Dodik mallkoi Malin e Zi, i cili gjoja po ia fut thikën pas shpine popullit vëlla serb, duke pranuar që në Srebrenicë është kryer gjenocid ndaj boshnjakëve.


Pastaj Dodik foli siç flasin racistët e ekstremit të djathtë në Perëndim. Tha se të “mëdhenjtë duhet të na lënë të qetë” dhe alarmoi të pranishmit e tubuar në një shesh në Mërkonjiq Grad se “nuk kemi shumë kohë” – me gjasë mendonte në realizimin e projektit të “botës serbe”, një eufemizëm për Serbinë e Madhe nga bregdeti i epërm kroat në Kosovë. Në Bashkimin Europian, sipas Dodikut, jetojnë 40 milionë myslimanë - “është çështje kohe kur do ta marrin pushtetin politik. Pse të na përkrahin ata neve?” Brenda BE-së jetojnë rreth 25 milionë njerëz që deklarohen si myslimanë, ose afër 5,5 për qind e 452 milionë banorëve sa ka BE-ja në tërësi. Rreziku që e paralajmëron Dodiku, se Europën së shpejti do ta sundojnë myslimanët, është - gënjeshtër. Kështu flasin neonazistët, ekstremistët e djathtë, nxitësit e urrejtjes dhe propagandistët e Putinit.


Andaj, nuk qe fare befasi që Dodiku, në fjalimin e tij, mohoi identitetin nacional të boshnjakëve. Tha se ata në mëngjes hynë si myslimanë në hotelin Holiday Inn në Sarajevë dhe pasdite dolën si boshnjakë. Dodik vazhdoi ofendimin duke ua mohuar boshnjakëve, siç e konsiderojnë veten në kuptimin nacional myslimanët e Bosnjës, edhe çdo trashëgimi në Bosnjë-Hercegovinë. Trashëgimi e këtij vendi, tha ai, janë trashëgimia serbe, kroate dhe turke. Nga këto fjalë jehonte kërcënimi i Ratko Mlladiqit nga korriku i vitit 1995 se “tani ka ardhur koha t’u hakmerremi turqve”. Pastaj filloi masakrimi i njerëzve në Srebrenicë.


Mësimi i dytë që duhet të nxirret nga tubimi në Mërkonjiq Grad është se nacionalistët serbë janë duke tentuar të krijojnë një aleancë me të djathtën ekstreme në Europë, por edhe me disa përkrahës fanatikë të Donald Trumpit, të cilët, po aq sa e urrejnë “Europën liberale”, besojnë se një përballje mes kulturave është e pashmangshme. Gjuha e Dodikut është mesazh ndaj racistëve në Europë: ne, të krishterët pravosllavë të Ballkanit, që në vitet 1990-të e kemi vërejtur rrezikun e “terrorizmit islamik” dhe kemi luftuar kundër tij dhe në mbrojtje të “krishterimit”, por Europa nuk na ka kuptuar.


3. Mësimi i tretë

I fundit në tubimin në Mërkonjiq Grad e mori fjalën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Si për parafolësit, edhe për të, fajtorë janë të tjerët, jo vetëm për luftërat e fundit në Ballkan në vitet 1990-të, por përherë, e sidomos përgjatë shekullit të 20-të. Në Luftën e Parë Botërore, populli serb ka humbur 29 për qind të popullsisë, tha Vuçiq, por nuk përmendi se atentatin e terroristëve serbë kundër arqidukës austro-hungarez Franz Ferdinand në Sarajevë, më 28 qershor 1914, e kishte përkrahur me propagandë dhe plumba organizata krimopolitike “Dora e Zezë”, e cila synonte një diktaturë ushtarake serbomadhe në Ballkan dhe mbante lidhje të ngushta me shërbimet sekrete serbe. Ky atentat ndezi Luftën e Parë Botërore.


Në Luftën e Dytë Botërore, “Beogradi është bombarduar, ndërsa në Zagreb nazistët i kanë pritur me lule” - ishte një nga shpjegimet e Vuçiqit mbi historinë. E vërtetë është që një trupë kuislingësh kroatë ka bashkëpunuar me nazistët dhe ka kryer krime të rënda në Luftën e Dytë Botërore; këtu hyn edhe kampi i Jasenovcit (Jasenovac): aty janë keqtrajtuar dhe vrarë serbë, romë, kroatë antifashistë dhe hebrenj. Sipas Enciklopedisë së Holokaustit të Muzeut të Holokaustit të SHBA-së, në këtë kamp janë vrarë mes 77’000 dhe 99’000 njerëz (1941–1945). Sigurisht që ky është një krim i madh, por me zmadhimin e numrit të viktimave nga ana e nacionalistëve serbë - ata thonë se në Jasenovac janë vrarë 1 milion serbë - synohet të manipulohen faktet, të komercializohet dhimbja për hesape të politikës ditore dhe të prezantohet populli serb vetëm si viktimë.


Kësisoj tentohet të fshihen disa fakte: gjatë Luftës së Dytë Botërore, rreth 80 për qind e hebrenjve me banim në Serbi janë vrarë (mes 27’000–33’500, sipas The European Holocaust Research Infrastructure). Ata u ekzekutuan në kampet e përqendrimit Sajmishte, afër Beogradit, dhe Crveni Krst, në Nish, apo u shpërndanë në kampe jashtë Serbisë, të cilat i mbanin nën kontroll nazistët gjermanë në Europën e okupuar. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Serbia kishte një qeveri pronaziste të prirë nga gjenerali Millan Nediq. Prej vitesh, politikanë dhe aktivistë nacionalistë në Serbi kërkojnë rehabilitimin e Nediqit. Vetëm ndërhyrja e drejtësisë ka shmangur deri më tani një veprim të tillë. Se çfarë antisemit ishte Nediqi, tregon kjo bisedë e tij me një gjeneral nazist. Ai thotë: “Unë di vetëm një zgjidhje për çështjen hebraike: jashtë me ta. Për sa kohë që ka qoftë edhe një hebre në vend (Serbi), apo për sa kohë ai mund të flasë me serbët, ose për sa kohë serbët mund ta mëshirojnë atë, deri atëherë nuk ka paqe në vend”.


Më 28 mars 1942 u mbajt një takim mes shefit të administratës okupuese ushtarake, dr. Harald Turner, dhe Millan Nediqit. Lidhur me këtë bisedë, Turner shkroi: “Gjenerali Nediq përmendi më tej vështirësitë që po i shkaktojnë ende në vend mbetjet e masonëve, si dhe hebrenjtë dhe anglezët e fshehur. Unë iu përgjigja se çështja hebraike praktikisht është zgjidhur dhe se me hebrenjtë e mbetur dhe masonët ende të pranishëm do të qërohen hesapet së shpejti. Zoti Nediq më pas do të mund të marrë meritën historike se gjatë sundimit të tij çështja hebraike në Serbi është zgjidhur plotësisht”.


Sipas shkrimtarit Filip David, i cili ishte hebre, pakica hebraike në Serbi pësoi jo vetëm nga terrori dhe ligjet racore të nazistëve, por “një rol të rëndësishëm luajti edhe xhandarmëria e Nediqit dhe Policia Speciale për Hebrenjtë dhe Romët, e cila kreu pjesën më të madhe të logjistikës në zgjidhjen përfundimtare të çështjes hebraike. Përpilonte lista, arrestonte shtëpi më shtëpi, nxirrte gjimnazistët nga bankat e shkollës dhe bashkëpunonte ngushtë me Gestapon për dërgimin e tyre në kampe. Vetëm ekzekutimi i ishte lënë në dorë okupatorit”.


Nuk ishte vetëm Nediqi bashkëpunëtor i fashizmit. Kisha Ortodokse Serbe e ka shpallur më 2003 shenjtor vlladikën Nikollaj Velimiroviqin (1881-1956), njërin nga antisemitët më të pështirë në Europë dhe adhurues të Adolf Hitlerit. Në librin e tij “Kroz tamnički prozor” (Përmes dritares së burgut), Velimiroviq shkruan: „Të gjitha parullat moderne evropiane i kanë hartuar çifutët, të cilët e kryqëzuan Krishtin: edhe demokracinë, edhe grevat, edhe socializmin, edhe ateizmin, edhe tolerancën e të gjitha besimeve, edhe pacifizmin, edhe revolucionin gjithëpërfshirës, edhe kapitalizmin, edhe komunizmin. Të gjitha këto janë shpikje të çifutëve, përkatësisht të babait të tyre, djallit. Dhe e gjithë kjo bëhet me qëllim që ta poshtërojnë Krishtin, ta asgjësojnë Krishtin dhe në fronin e Krishtit të vendosin mesian e tyre jahudi, pa e ditur deri në ditën e sotme se ai është vetë Satani, i cili është babai i tyre dhe i cili i ka frenuar me frenat e tij e i fshikullon me kamxhikun e tij… Por është për t’u habitur se si evropianët, të pagëzuar e të mirosur, i janë dorëzuar plotësisht çifutëve, aq sa mendojnë me kokë çifute, pranojnë programe çifute, përvetësojnë luftën çifute kundër Krishtit, pranojnë gënjeshtrat çifute si të vërteta, marrin parullat çifute si të tyret, ecin rrugës çifute dhe u shërbejnë synimeve çifute… Por më e rëndësishmja është se si Evropa e krishterë u bë shërbëtore e çifutëve dhe se si u shkëput nga Ati i dritës e e njohu djallin si Atin e saj në të gjitha mendimet dhe veprat e veta…“. Velimiroviq nuk ishte analfabet - në fillim të shekullit të 20-të ai shkroi dy teza doktorature në Fakultetin Katolik të Universitetit të Bernit dhe - po aty - në Fakultetin e Filozofisë dhe Historisë.


Në fjalimin e tij në Mërkonjiq Grad, Vuçiqi u ankua se nuk po lejohet nga autoritetet kroate të vizitojë ish-kampin e përqendrimit në Jasenovc. Arsyet duhet t’i ketë të qarta Vuçiqi: ka disa vite që mediat e kontrolluara nga regjimi i tij ofendojnë gjithë popullin kroat, duke e etiketuar si pronazist, ustash dhe krimogjen.


Duke qenë propagandist i paskrupullt, Vuçiqi tha se në luftërat e viteve 1990-të Serbia s’ishte agresore; serbët, sipas tij, nuk e shkatërruan Jugosllavinë, por këtë e bënë të tjerët, sllovenët, kroatët e kështu me radhë. “Ju u vërsulët në shpërbërjen e subjektit (e kishte fjalën për Jugosllavinë)… shkaktuat konflikte…”. Në të vërtetë, republika e parë që nisi shkatërrimin e Jugosllavisë ishte Serbia, duke goditur Kushtetutën e vitit 1974 dhe duke hequr arbitrarisht autonominë e Kosovës dhe Vojvodinës, dy njësi federale krahas gjashtë republikave të tjera.


Mësimi i tretë nga ky demonstrim i nacionalizmit serb në Bosnjë dhe sidomos nga fjalimi i Aleksandar Vuçiqit është se deformimi i historisë është shndërruar në program shtetëror serb. Në këtë frymë toksike mohohen krimet e luftës ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Në të gjitha fjalimet e mbajtura vërehej një urrejtje e madhe sidomos ndaj Malit të Zi: duket se në Beograd ekziston një mllef i madh që Mali i Zi ka gjasa të anëtarësohet në Bashkimin Europian, ndërsa Serbia po bën hapa prapa dhe gjithnjë e më shumë i ngjan një xhamahirie ortodokse.


Derisa Serbia mbetet e fundosur në moçalin e miteve historike, jeta e përditshme duket kështu: në vitin 2026, sipas gazetës kroate “Jutarnji list”, më shumë serbë kanë kërkuar punë në Kroaci sesa në Gjermani.


Në Kroaci nuk është tabu të thuhet publikisht se gjatë aksionit “Olluja” individë të armatosur kroatë kanë kryer krime dhe plaçkitje, por pa e injoruar kontekstin. Më 1991, të ashtuquajturit kryengritës serbë të rajonit të Krajinës, të përkrahur nga njësitë e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) dhe nga grupet paramilitare nën kontrollin e shërbimeve sekrete të Beogradit, sulmuan Republikën e Kroacisë dhe dëbuan deri në 200 mijë kroatë, shkatërruan shtëpi, kisha e fabrika, bombarduan qytete kroate si Zagrebi, Zara, Shibeniku dhe Dubrovniku. Si pasojë e agresionit serb, u vranë rreth 14 mijë njerëz në Kroaci dhe u plagosën mbi 37 mijë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos