Prokuroria çon në gjyq nigerianin për mashtrim kompjuterik, u zhvaste para shqiptarëve me skemë online

Nga A2 CNN
7 Gusht 2026, 12:25 | Kronikë

Prokuroria çon në gjyq nigerianin për mashtrim kompjuterik, u

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin nigerian me iniciale L.O., i akuzuar për veprën penale të "Mashtrimit kompjuterik".

"Hetimet nisën pas kallëzimit të një shtetaseje me iniciale M.E., operatore në një kompani "Call Center", e cila merrej me shitjen e energjisë elektrike dhe gazit. Sipas dosjes hetimore, ajo u kontaktua në rrjetet sociale nga një person që prezantohej si shtetas italian, megjithëse nuk dinte të komunikonte në gjuhën italiane.

Pas komunikimeve fillimisht në Instagram dhe më pas në WhatsApp, autori e bindi të kryente një pagesë me pretendimin se ishte e nevojshme për të marrë një pako surprizë. Më pas, me justifikime të ndryshme, ai kërkoi edhe të dhënat bankare të viktimës dhe pagesa të tjera, duke premtuar se paketa do të mbërrinte, gjë që nuk ndodhi kurrë.

Nga hetimet e Prokurorisë dhe bashkëpunimi me autoritetet italiane përmes letërporosisë, u identifikua si përdorues i kartës PostePay Evolution shtetasi nigerian L.O., me banim në Itali. Ai akuzohet se ka qenë përfituesi i shumave të marra nëpërmjet kësaj skeme mashtrimi".

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria vendosi ta dërgojë çështjen për gjykim.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos