Humanist je vetëm nëse çdo njeri të pafajshëm e sheh si të denjë për ta jetuar jetën e tij në paqe me të tjerët. Ajo që po shohim sot në Gaza nuk mund të quhet ndryshe veçse moral i dyfishtë – dhe cinik – i bashkësisë ndërkombëtare dominante. Në këndvështrimin e saj, jeta e një myslimani ka më pak vlerë se jeta e të tjerëve. Kështu duket në vitin 2025. Nuk ka qenë përherë kështu.
Kjo e shpjegon edhe heshtjen kaq të madhe nga ana e kësaj bashkësie. Heshtja është miratim. E kur flitet, shpesh janë vetëm fjalë boshe. Paralajmërime pa veprim. Fjalë pa peshë. Me një fjalë: hipokrizi.
Shkrimtarja izraelite Ayelet Gundar-Goshen tha sot në një intervistë për gazetën Tages Anzeiger se Izraeli është marrë peng nga qeveria më ekstreme që ka pasur ndonjëherë.
Strategu i lashtë grek Tukididi (Θουκυδίδης) ia la botës si paralajmërim fjalët e athinasve, të cilët, kur pushtuan ishullin e vogël Melos – koloni e Spartës – thanë: “I forti bën çfarë të dojë, i dobëti vuan atë që i bie fati ta vuajë.”
Por kjo sjellje e të fortit nuk krijon domosdoshmërisht një botë më paqësore. Historia e Lindjes së Afërt është e ndërlikuar. Ndarja në të mirë e të këqij është shpesh e pamundur. Historinë e thjeshtësojnë vetëm ata që mendojnë me pankarta.
Fathumburit shqiptarë, për shembull: u mjafton një profil në rrjetet sociale, dhe kaq bëhen “ekspertë”. Kjo është kompetenca e tyre, të cilën e shesin në pazarin digjital si “fisnikëri properëndimore”.
Por edhe në vetë Perëndimin, qindra miliona njerëz tashmë janë distancuar nga hipokrizia. E kuptojnë se nuk mund të ketë drejtësi vetëm për njërën palë. Pa drejtësi, nuk ka paqe.
E.R. (A2 Televizion)