Nga Enver Robelli
Muajin e kaluar Donald Trump vizitoi vendet e Gjirit Persik. Kudo u prit me nderime të larta, në një pallat e lavdëroi cilësinë e mermerit, në tjetrin u gëzua që po i dhuronin një avion luksoz (në Amerikë një pjesë e përkrahësve të tij thanë se kjo është një formë korrupsioni).
Në Riad, në kryeqytetin saudit, Trump mbajti një fjalim. Ai tha: „Për herë të parë pas një mijë vjetësh, bota nuk do ta shohë më këtë rajon si një vend trazirash dhe përplasjesh, lufte dhe vdekjeje, por si një tokë mundësish dhe shprese.“
Një muaj më vonë rajoni është në flakë dhe para një lufte që mund të zgjerohet. Mjafton ky shembull për të kuptuar se premtimet e mëdha të Trumpit si ai në Riad duhet marrë me rezerva maksimale. Njeriut i pëlqen patetika. Gjestet e mëdha. Fjalët e mëdha.
Para se të kthehej në Shtëpinë e Bardhë tha se do ta ndalte luftën në Ukrainë brenda 24 orëve. Tregoi dje se e ka penguar një luftë mes Serbisë dhe Kosovës. Tani Trump është afër vendimit për t’iu bashkuar Izraelit në luftë kundër Iranit. Ky opsion tashmë ka zemëruar edhe përkrahësit e tij më të mëdhenj, të cilëve Trump u ka premtuar se nën udhëheqjan e tij Amerika nuk përzihet në punët e të tjerëve. Tucker Carlson, gazetari më i zëshëm pro-Trump, madje e përshkroi Washingtonin si “luftënxitës”.
Trump është presidenti më i pazakonshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nxitimi i kasabasë “analitike” të shqiptarisë për të interpretuar fjalët e tij madje edhe me parashikime apokaliptike, nuk thotë asgjë për Trumpin. Por flet shumë për ata që dikur mezi prisnin të notonin në liqenin virtual Trump. Sot s’kanë ambicie për not fare, kanë mbetur në moçal. Nga aty dëgjohet veç një kuakje. (A2 Televizion)