“Dialog me diktatorin rus!” Ministri i Mbrojtjes në Gjermani reagon ashpër ndaj kolegëve

Nga Enver Robelli
12 Qershor 2025, 10:12 | Blog

“Dialog me diktatorin rus!” Ministri i Mbrojtjes në Gjermani

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, hodhi poshtë me forcë kërkesat e politikanëve të shquar nga partia e tij SPD për një ndryshim rrënjësor në politikat ndaj Rusisë. «Ky dokument është një mohim i realitetit. Ai abuzon me dëshirën e njerëzve në vendin tonë për t'i dhënë fund luftës së tmerrshme në Ukrainë. Për paqe», tha Pistorius për agjencinë gjermane të lajmeve në Berlin.

Pistorius theksoi se ai ndan të njëjtën dëshirë për paqe. Sidoqoftë, presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, refuzon ofertat e Ukrainës për një armëpushim pa kushte. «Ai i ndërpret negociatat. Dhe kur i vazhdon ato, bombardon me forcë dhe brutalitet edhe më të madh qytetet në Ukrainë», tha Pistorius. E gjithë kjo tregon qartë se Rusia nuk dëshiron paqe, ose vetëm nën kushtet e saj.

Pistorius kundërshtoi kushtet që do të nënkuptonin kapitullimin e Ukrainës dhe tha: «Një paqe e tillë do ta linte Ukrainën të pambrojtur ndaj arbitraritetit rus». Në të njëjtën kohë, Putin po forcon më tej arsenalin e tij, ka kaluar në ekonominë e luftës dhe flet vetë për një luftë serioze dhe të pamëshirshme për krijimin e një rendi të ri botëror.

«Me këtë Putin, ne mund të negociojmë vetëm nga një pozicion force. Vetëm kështu do ta sjellim atë në tryezën e negociatave», tha Pistorius. «Kjo ka qenë, për të thënë të drejtën, edhe politika e Willy Brandtit kur gjatë qeverisjes së tij, shpenzimet për mbrojtjen si pjesë e PBB-së ishin dukshëm më të larta se sot: afrim dhe negociata në të njëjtin nivel. Por jo nënshtrim».

Ajo që nevojitet është aftësia jonë për mbrojtje. Putin ka hedhur poshtë përpjekjet shumëvjeçare diplomatike. «Ai ndjek strategjinë e konfrontimit. Jo ne», tha Pistorius, duke theksuar se ai e vlerëson qartë situatën dhe pasojat për Gjermaninë. Ai shtoi: «Kjo është ajo që më mungon tek autorët e dokumentit».

Politikanë të shquar të SPD-së po kërkojnë në një «manifest«» një ndarje nga politika e armatosjes dhe bisedime të drejtpërdrejta diplomatike me Rusinë. Kjo mund të kuptohet edhe si një sulm ndaj qeverisë së koalicionit dhe udhëheqjes së vetë partisë nën drejtimin e zëvendëskancelarit Lars Klingbeil, shkruan agjencia e lajmeve DPA. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos