Nga Anton Jäger, botuar në anglisht në “New York Times”
Kur largohesh nga Brukseli me tren, thuajse gjëja e parë që sheh është fabrika e Audi-t. Ky kompleks ndërtesash gri ka qenë për vite një nga fabrikat më të mëdha të makinave në Belgjikë, elegant dhe produktiv, simbol i përkryer i kryeqytetit europian. Por në fillim të këtij viti, ajo u mbyll pa shumë zhurmë: kriza industriale që ka përfshirë kontinentin mbërriti edhe këtu. Muret dikur të pastra tani janë të njollosura me grafite.
Kohët e fundit, historia e fabrikës së Audi-t është bërë historia e gjithë Europës. Të dyja janë në rënie dhe rrezikojnë të përmbyten nga rrymat e reja gjeo-ekonomike të shekullit të ri. Reagimi i Brukselit ndaj këtyre vështirësive është në përputhje me kohën, në kuadër të një militarizimi të gjerë, sipas ministrave, fabrika e vjetër e makinave do të kthehet në një fabrikë armësh. Mbështetësit thonë se ky riformatim do t’i afrohet më shumë autonomisë strategjike të Europës dhe do të krijojë 3000 vende të reja pune.
Politikanët anembanë Europës po ndjekin të njëjtën strategji, duke shpresuar të vrasin dy zogj me një gur: nga njëra anë, rritja e shpenzimeve ushtarake do ta mbrojë Europën nga Rusia dhe do ta bëjë të pavarur nga Amerika; nga ana tjetër, do të ringjallë industrinë europiane që po mbytet nga konkurrenca kineze dhe çmimet e larta të energjisë. Po të injektohen para në ushtri, mund të tejkalohet kriza e dyfishtë: ajo gjeopolitike dhe ajo ekonomike.
Por këto shpresa ka shumë gjasa të dështojnë. Orientimi drejt militarizimit të Europës vështirë se do të japë fryte, përmasat janë tepër të mëdha dhe ndikimi shumë i vogël. Përkundrazi, përqendrimi në mbrojtjen në dëm të gjithçkaje tjetër rrezikon të kthehet në një gabim historik. Në vend që të përparojë me hapa gjigantë, Europa mund të bëjë hapa mbrapa.
Qasja e re e Europës shpesh quhet me një emër të vjetër: “keynesianizëm” ushtarak. Kjo ide daton nga përpjekjet e qeverive në mesin e shekullit XX për të luftuar recesionin duke rritur shpenzimet ushtarake, nazistët ishin të parët që e provuan këtë në vitet 1930, më pas amerikanët ia dhanë dimension global në vitet 1940. Së fundmi, kjo ide është përmendur në lidhje me ekonominë ushtarake të Putinit.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse përpjekjet aktuale të Europës mund të quhen realisht “keynesianizëm” ushtarak. Së pari, kontinenti thjesht po kthehet në nivelin e shpenzimeve ushtarake që kishte para vitit 1989. Për shembull, në kulmin e Luftës së Ftohtë, Gjermania shpenzonte afro 5% të PBB-së për ushtrinë. Qëllimi i shpallur së fundmi nga Friedrich Merz është vetëm 3.5%. Kjo rikthim nuk mund të quhet “kërcim i madh përpara”, është shumë larg nga premtimi i madh i “Zeitenwende”-s.
As përfitimet publike të kësaj strategjie nuk janë të qarta. Edhe pse Gjermania ka lehtësuar paksa rregullat e borxhit, politikanët europianë ngurrojnë të rrisin deficitin buxhetor. Fondet shtesë për ushtrinë do të rëndojnë mbi buxhetet tashmë të ngushta, duke hequr fonde nga sigurimet shoqërore, infrastruktura dhe shërbimet publike. Në vend të “keynesianizmit” ushtarak, kjo valë shpenzimesh i ngjan më shumë “reaganizmit” të viteve 1980, ku rritja e shpenzimeve ushtarake shoqërohej me shkurtime në përfitimet sociale.
Këto janë edhe argumentet e zyrtarëve belgë për ta kthyer fabrikën e Audi-t në fabrikë armësh. Ministri i Mbrojtjes, Theo Franken, ka deklaruar se një shtet që do të reduktojë deficitin dhe njëkohësisht të rrisë buxhetin ushtarak, duhet të shkurtojë shpenzimet sociale. “Sigurimet shoqërore janë bërë shumë të majme”, u ankua ai. “Të marrësh dy miliardë nga një buxhet prej 200 miliardësh nuk është edhe aq çnjerëzore, apo jo?”. Por duke parë se si pakënaqësia shoqërore nxit ekstremet e djathta dhe përçarjen në Europë, kjo qasje është të paktën e dritëshkurtër.
Ka edhe probleme të tjera me rimilitarizimin. Disa sektorë të industrisë mund të zhvillojnë interes të drejtpërdrejtë ekonomik në luftërat jashtë vendit dhe kjo nuk është një formë e qëndrueshme fitimi siç është blerja e makinave nga qytetarët. Më shumë para për ushtrinë nuk do të thotë automatikisht më shumë efikasitet. Ekonomisti Adam Ace thekson se europianët shpenzojnë shuma të mëdha për “ushtritë zombi” dhe marrin pak në këmbim, si në pajisje, ashtu edhe në personel. Ndër dhjetë kompanitë më të mëdha të mbrojtjes në botë për nga xhiroja, nuk ka asnjë europiane.
Për më tepër, Europa përballet me një problem, atë të koordinimit. Armët dhe pajisjet janë tashmë të shtrenjta, por kostot rriten edhe më shumë për shkak të vendimmarrjes së decentralizuar në BE, ku shtetet konkurrojnë për kontrata. Kjo paaftësi tashmë është dukur në përpjekjet e dështuara për të prodhuar municione për Ukrainën. Ndërkohë, përfitimet e para nga kjo “bujari europiane” ka gjasa të përfundojnë në duart e prodhuesve amerikanë, ndërsa fabrikat europiane sapo po ringrihen. Ironike, por amerikanët do të jenë të parët që do të korrin frytet.
Kufizimet logjistike duhet të përputhen edhe me ato kulturore. Në vitet 1990, gazetari britanik Anatole Lieven vëzhgoi se kushdo që shpreson për kthimin e ushtrisë prusiane, “me shumë gjasë nuk ka qenë ndonjëherë në një diskotekë gjermane”. Në dekadat e fundit, këto ndjenja pacifiste janë thelluar. Shumë vende europiane e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe nuk arrijnë të bindin qytetarët të shërbejnë. Për shembull, një moderator podcast-i në Gjermani u përgjigj thjesht ndaj thirrjes për rikthim të mobilizimit: “Më mirë gjallë sesa i vdekur”.
Megjithatë, politikanët europianë janë të vendosur të bindin njerëzit se riarmatimi është i domosdoshëm për hyrjen e plotë të kontinentit në shekullin XXI. Samiti i fundit i NATO-s, ku pothuajse të gjithë anëtarët u zotuan të rrisin shpenzimet ushtarake në 5% të PBB-së gjatë dhjetë viteve të ardhshme (nga të cilat 1,5% për infrastrukturën ushtarake dhe kërkime), vetëm sa e forcoi këtë pikëpamje. Luftërat e shumta në botë, përfshirë atë që shpërtheu në Iran, përdoren si argument për urgjencën e një Europe “luftarake”. Kjo strategji, sipas zyrtarëve, kombinon pavarësinë ushtarake me rigjallërimin ekonomik.
Në fakt, ka shumë gjasa që asnjëra të mos realizohet. Duke ndjekur kursin aktual, Europa nuk do të arrijë as “keynesianizmin” ushtarak me përfitime sociale, e as një strategji mbrojtjeje që përputhet me ambiciet e saj si fuqi e madhe. Më shumë gjasë, ajo do të përfundojë me më të keqen e të dyjave: një rimëkëmbje të dobët ekonomike pa rritje të qëndrueshme, dhe një “dush të artë” për kompleksin ushtarako-industrial, pa arritur të kapë ritmin e rivalëve të saj. Mjafton të kalosh në Bruksel dhe të shohësh fabrikën e braktisur të Audi-t për t’u bindur për këtë realitet.
Rreth autorit: Anton Jäger është publicist, ligjërues i politikës në Universitetin e Oksfordit dhe autor i librit të ardhshëm Hyperpolitics: Extreme Politicization without Political Consequences. (A2 Televizion)