Të vërtetat e Lindjes së Afërt dhe një fuçi me katran

Nga A2 CNN
23 Qershor 2025, 17:29 | Blog

Të vërtetat e Lindjes së Afërt dhe një fuçi me

1.
Tifozllëk symbyllur për njërën palë ndërluftuese, racizëm për palën tjetër – me këtë miks toksik nuk bëhet analizë. Më së shumti nxiten tifozë apo urrejtës që janë kujdestarë klikimesh.

2.
Kur mashtruesit e kidnapojnë të vërtetën, doza e përditshme që i servohet shoqërisë është rrena. Rrena kolosale! Por edhe rrena i shërben – pa dashje – të vërtetës: zbulohet lehtë. Sikur mashtruesit të shkruanin përralla, shoqëria do të përfitonte prej tyre. Por të shkruash përralla kërkon talent, të përhapësh rrena, ndërkaq, kërkon veç një fuçi me katran dhe një thes dashakeqësi. Këto janë "virtytet" e barbarit.

3.
Shkrimtari iluminist gjerman Gotthold Ephraim Lessing (1729–1781) e ka definuar kështu procesin e gjetjes së të vërtetës: "Jo e vërteta që e posedon një njeri apo që mendon se e posedon, por përpjekja e sinqertë që ai bën për të gjetur të vërtetën e tregon vlerën e njeriut."
Lessingu shkruan se nëse Zoti do t’ia jepte atij të vërtetën e plotë në dorën e djathtë dhe në të majtën përpjekjen e pashterur për të vërtetën, përfshirë të gjitha mundësitë për të gabuar, ai do të zgjidhte dorën e majtë. Që përpjekja e pashterur për të vërtetën të ketë sukses, është e domosdoshme së pari kultura gjuhësore. Debati, diskursi dhe disputi kanë sukses vetëm kur motivet e pjesëmarrësit janë fisnike.

4.
Armata e "ushtarëve të mendimit" e sheh botën bardh e zi, pa asnjë nuancë. Sipas kësaj antilogjike, ai që ka shpatën, ka përherë të drejtë. Historikisht kjo rrallë ka qenë e vërtetë.

5.
Si asnjë konflikt tjetër, ai i Lindjes së Afërt është mbase më i ndërlikuari. Nuk mund të shpjegohet pa i marrë parasysh edhe kundërthëniet. Për shembull Iraku. A ishte Sadam Huseini diktator? Po. A duhej rrëzuar? Po. Por jo me ndërhyrje të bazuar në rrena për armë kimike apo biologjike. Demokracitë përballen me këto kundërthënie në mënyrë kritike. Me pak përjashtime, në politikën amerikane prej vitesh ekziston pajtimi se ndërhyrja në Irak më 2003 ka qenë gabim. Një gabim që la pas 500 mijë irakianë e irakiane të vdekur, siç ka treguar një studim i Washington University në Seattle. Kjo është njëra nga arsyet pse Donald Trump i ka fituar dy herë zgjedhjet. Ndërhyrja e vitit 2003 prodhoi një monstrum që edhe sot kërcënon Perëndimin: "Shtetin Islamik". Para intervenimit, Benjamin Netanjahu i tha kongresmenëve amerikanë: "Nëse e rrëzoni Sadamin, unë ju garantoj: kjo do të ketë efekte jashtëzakonisht pozitive në rajon." Nuk ishte gënjeshtra e vetme e Netanjahut, i cili drejton tani qeverinë më ekstremiste në historinë e Izraelit.

6.
Llafazanët e avancuar në ekspertë për çdo gjë, shohin mullahët mizantropë me turbanë e mjekra dhe besojnë se mbarë Irani është i tillë. Kur Palmën e Artë në Cannes e fiton regjisori iranian Jafar Panahi, kur i njëjti fiton çmimet kryesore në festivalet e filmit në Venedik dhe Berlin, kjo nuk vërehet nga llafazanët. Siç nuk vërehet aq beteja e grave iraniane kundër rregullave strikte të veshjes (lexo: shamisë).

7.
Por ka injorantë edhe në krahun tjetër. "Shqiptari që jeton në Iran", vizualisht tashmë i transformuar në talib, shfaqet në "mediat tona" dhe i paballafaquar me pyetje kritike bën zëdhënësin e mullahëve thua se ata janë shoqatë e engjëjve. Regjimi i Teheranit ka mbi tri vite që furnizon Rusinë me dronë të cilët vrasin fëmijë ukrainas. Më 2019 ka sulmuar Arabinë Saudite. Ka edhe shembuj të tjerë.

8.
Iranianët kanë kaluar nëpër përvoja jo aq të këndshme me Perëndimin. Më 1953 shërbimet sekrete amerikane dhe britanike rrëzuan kryeministrin demokratik të Iranit, Mohamad Mosadeg, dhe sollën në pushtet Shahun Mohamad Reza Pahlavin, i cili sa ishte modern po aq edhe i korruptuar dhe shtypës i popullit të tij. Për nacionalizmin dhe patriotizmin iranian rrëzimi i kryeministrit demokratik është gur prove.

9.
"Pajisjet bërthamore të Iranit u shkatërruan plotësisht", tha Donald Trump të dielën pas sulmeve të armatës amerikane. Ndërkohë vartësit e tij nuk janë aq të sigurt. Shko me shpejtësi, bombardo dhe kthehu – kjo qasje nuk ua merr iranianëve nga dora uraniumin e pasuruar.

10.
Siç nuk mund të bëhet Gaza resort i bukur turistik (me palestinezë të dëbuar), as nuk u ndal lufta në Ukrainë ("brenda 24 orëve") duke përkdhelur diktatorin rus, po aq s’mund të zgjidhet asnjë konflikt në Lindjen e Afërt për aq kohë sa bota vendimmarrëse (veçanërisht ajo perëndimore) qëndron indiferente ndaj së paku 16 mijë fëmijëve të vdekur në Gaza.

E.R. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos